E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani u vë detyra minibashkive për sistemin e adresave



Tiranë – Adresat e detyrojnë ministrin e Brendshëm të mbledhë krerët e njësive bashkiake në kryeqytet. Sipas ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, një operacion i madh kombëtar do të realizohet së shpejti nga zyrat e Urbanistikës. Sipas tij, për realizimin e këtij projekti janë kryer amendamente dhe hartuar akte të posaçme nënligjore, e po kështu janë miratuar vendime të Këshillit të Ministrave për specifikimet teknike për tabelat e adresave dhe urdhra të Ministrisë së Brendshme për standarde unike të punës si për hartat vektoriale, dhe për regjistrimin e adresave.
Mbledhja
Ministri Nishani u komunikoi në takim krerëve të njësive bashkiake dhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës detyrat dhe bashkërendimin e veprimeve për implementimin e sistemit të adresave. Duke e quajtur këtë proces një operacion të madh kombëtar, ministri i Brendshëm u shpreh se realizimi me sukses i tij do të bëhet i mundur në sajë të angazhimit të përbashkët të qeverisjes qendrore dhe vendore. Ministri Nishani evidentoi ndërkohë faktin se falë bashkëpunimit të deritanishëm është realizuar me sukses network-u i sistemit të gjendjes civile dhe printimi i certifikatave, i cili së shpejti do të implementohet në të gjithë territorin e vendit. Në fjalën e tij në takim, ministri i Brendshëm theksoi se krijimi i një regjistri të ri funksional dhe modern i gjendjes civile dhe pajisja e qytetarëve me letërnjoftime elektronike, është e domosdoshme të shoqërohen edhe me implementimin e sistemit të adresave.
Projekti
Ky operacion i madh kombëtar do të kryhet në zyrat e Urbanistikës dhe në terren për prekjen e çdo terreni publik, sheshi apo objekti dhe për realizimin e tij kërkojmë angazhimin e Bashkisë së Tiranës, njësive bashkiake dhe këshillave bashkiakë për të përfunduar procesin brenda afateve të përcaktuara në kalendarin e veprimit. Emërtimi i rrugëve, shesheve dhe terreneve publike dhe më tej numërtimi i objekteve do të pasqyrohen në hartat vektoriale dhe ato dixhitale. Ky proces, së bashku me vendosjen e tabelave përkatëse, përveç angazhimit, resurseve njerëzore e financiare, kërkon edhe një supervizim korrekt e të vazhdueshëm nga Ministria e Brendshme dhe drejtuesit e njësive vendore. “I kemi kapacitetet e implementimit të këtij procesi që në fillim të vitit 2009, qytetari të konsultojë adresën e tij në sistem, i cili njëkohësisht do të verifikojë dhe pranojë aplikimin për letërnjoftimin elektronik”, - u shpreh ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›