E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 21-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Sajmir Binjakut

20/07/2010 Policia: Disponojmë prova që e implikojnë, kontrolle për një person të dytë

ELBASAN- Një 21-vjeçar është arrestuar gjatë një operacioni të bujshëm afër mesditës të organizuar nga policia e Elbasanit i akuzuar për vrasje. Axhildo Kashari me banim në lagjen “Haxhias” të qytetit të Elbasanit është arrestuar teksa qëndronte në një shtëpi private në lagjen “Visarion Xhuvani”. Forca të shumta policie si dhe agjentë të forcave speciale janë bashkuar në këtë operacion të quajtur “Premtimi”. I riu akuzohet se një muaj më parë vrau në një pikë interneti afër mesnatës shtetasin Sajmir Binjaku 36 vjeç me banim në lagjen “Shënkoll” bashkëpronar në një hotel. Policia deklaroi si shkak të ngjarjes hakmarrjen. Ndërkohë mësohet se është shpallur në kërkim edhe një person tjetër që mendohet të jetë edhe ndihmësi i Kasharit në vrasje. Kanë qenë përgjimet dhe informacione të tjera që kanë çuar Prokurorinë dhe policinë drejt 21-vjeçarit Kashari, një kamerier pa precedentë të mëparshëm. Ky i fundit punonte në një lokal në qytetin e Elbasanit dhe ishte përfshirë në rrethin e të hetuarve nga disa rrethana, por jo prova të qarta. Agjentët e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë kanë përdorur përgjimet për të vërtetuar edhe autorësinë e krimit të vrasjes. Hetuesit tregohen tepër të rezervuar mbi shkakun që ka sjellë vrasjen nëpërmjet një krimi të organizuar që mund ta ketë nisjen nga një krim i realizuar drejt njërit prej vëllezërve Binjaku në Itali ku ai mbeti i vrarë. Dyshohet se me 21-vjeçarin Axhildo Kashari ka bashkëpunuar me një person tjetër, i cili e ka ndihmuar të largohet nga vendi i ngjarjes. I riu do të merret në pyetje nga hetuesit, ndërkohë që po verifikohet gjithçka që ka lidhje me të. Drejtori i policisë së Elbasanit Sajmir Muça gjatë një konference për shtyp mbi operacionin deklaroi se është punuar intensivisht me metoda speciale të hetimit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Elbasan për të arritur deri tek personi i dyshuar si autor për vrasjen e Sajmir Binjakut. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›