E Diel, 1 Nëntor 2026

“Çlirohen” 4 prostituta minorene, 3 ishin “prenotuar” në Kosovë

20/07/2010 Antitrafikët arrestojnë 6 persona në 2 operacione. Një 15-vjeçare shfrytëzohej në Tiranë

TIRANË- Katër të mitura nga Elbasani, Lezha dhe Durrësi u liruan dje nga kthetrat e tutorëve të tyre, që i mbanin me forcë në Tiranë, ku i shfrytëzonin si prostituta. Madje 3 prej tyre ishin “prenotuar” për në Kosovë, ndërsa tjetra i përkiste vetëm tregut të qendrës dhe periferisë kryeqytetase. Kështu, dje gjashtë të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi shfrytëzonin 4 vajza të reja për prostitucion, ndërkohë që një i shtatë është ende në kërkim. Këto janë rezultatet e arritura nga policia e kryeqytetit pas dy operacioneve të koduara “Premtimi” dhe “Ekstremi”.

“Premtimi”

Seksioni i Trafiqeve të Paligjshme ka mundur të arrestojë tre persona dhe një tjetër u shpall në kërkim, duke shpëtuar tre vajza të reja, një prej të cilave në moshë minore. Me finalizimin e këtij operacioni nën prangat e policisë kanë përfunduar Zylyftar Tare, 26 vjeç, banues në Tiranë, Ilir Saraçi, 26 vjeç, banues në Tiranë, Agron Sinani, 25 vjeç, banues në Kukës. Gjithashtu është shpallur në kërkim Kudusi Hoka, 25 vjeç. Burimet zyrtare nga policia e Tiranës shprehen se: “Nga informacionet operative të poseduara ka rezultuar se këto shtetas, po përgatisnin terrenin duke siguruar transportimin e tre vajzave, duke kaluar pikën e kalimit kufitar, me destinacion Kosovën”. Tre vajzat e reja, të cilat respektivisht janë J.U nga Lezha dhe dy motra M.H 18 vjeçe dhe R.H 15 vjeçe nga Elbasani, janë gjendur në shtëpinë e njërit prej autorëve. Gjatë hetimit paraprak ka rezultuar se Zylyftar Tare, i ka mbajtur ato të mbyllura në banesën e tij që ndodhet në Linzë të Tiranës. Ndërsa për transportimin e tyre nga Shqipëria drejt Kosovës e ushtronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin Ilir Saraçi, Agron Sinani dhe Kudusi Hoka, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion.

Ekstremi

Ndërkohë po nga seksioni i Trafiqeve të Paligjshme gjatë operacionit të koduar “Ekstremi”, janë kryer arrestimi në flagrancë i Bledar Uka, 20 vjeç, me banim të përkohshëm në Tiranë, Dritan Uka, 22 vjeç, lindur në Lezhë e banues në Tiranë. Bashkë me ta është arrestuar edhe minoreni me inicialet T.T, 16 vjeç, lindur në Lezhë e banues me banim të përkohshëm në Tiranë. Arrestimi i tyre është bërë sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar për qëllime prostitucioni duke e detyruar me forcë, një shtetase të mitur 15-vjeçare nga qyteti i Durrësit, të cilën e shfrytëzonin në zonat e periferisë dhe qendër të Tiranës për qëllime prostitucioni. Të tre këta persona kanë qenë të dënuar më parë për vjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›