E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikonte një grua me fëmijën për në Greqi, ndalohet Taulant Balliu



Luan Kondi

Gjirokastër – Një i ri është arrestuar dje nga policia e Gjirokastrës, pasi u kap gjatë natës duke trafikuar një grua me fëmijën e saj në drejtim të Greqisë. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se është prangosur Taulant Balliu, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mamaj të rrethit të Tepelenës.
Operacioni
Burime të Seksionit të Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastër thanë se arrestimi u bë pasi gjatë natës duke gdhirë e Enjtja, është kapur në flagrancë në afërsi të fshatit Kakavijë, pranë kufirit me Greqinë, duke shoqëruar një femër së bashku me fëmijën e saj të vogël. “Nga hetimi doli se 20-vjeçari, do t’i ndihmonte nënë e bir për të kaluar kufirin e gjelbër në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit nga 800 euro për gruan e re dhe 400 euro për fëmijën”, -konfirmuan burimet policore. Balliu njihet nga policia si person me precedentë penalë dhe sipas uniformave blu ai ishte shoqëruar edhe herë të tjera për të njëjtën vepër penale.
Hetimi
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se së bashku me Tauland Balliun ka kenë edhe një tjetër, nga një fshat i rrethit Tepelenë, i cili i ka shpëtuar kapjes së policisë, ndërsa uniformat blu kanë shpallur për të kërkimin. “Ne nuk arritëm të kapim dhe prangosim të dyshuarin e dytë të trafikut të klandestinëve, pasi ai ishte disa metra më larg duke ndihmuar një person tjetër për të kaluar ilegalisht në Greqi, po kundrejt fitimit 800 euro dhe kur ishte duke u kapur Balliu, është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira”, - detajoi policia. Gjithashtu nga veprimet hetimore rezultoi se organizatori i këtij trafiku ka qenë pikërisht i dyshuari që u arratis dhe tani po kërkohet nga policia. Mësohet se i zhdukuri, emri i të cilit nuk u bë i ditur për efekt hetimi, do të përfitonte 1600 euro, ndërsa i arrestuari Balliu, do të përfitonte 400 euro. Tani, që të dy përballen me akuzën për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”.

Konflikti te Ura e Leklit, ndëshkohen punonjësit e policisë

Gjirokastër - Në përfundim të analizës dhe verifikimit të plotë të ngjarjes së ndodhur më 4 prill 2009 u morën disa masa ndëshkimore ndaj protagonistëve. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 4 prill, në vendin e quajtur Ura e Leklit të aksit rrugor Gjirokastër –Tepelenë, midis punonjësve të policisë të cilët kryenin shërbim në postbllok dhe dy policëve të tjerë dhe një qytetari. Sipas të dhënave policore për inspektor Blerim Mëhilli, me detyrë shoferi i Drejtorit të Policisë së Gjirokastrës u mor masa disiplinore “Përjashtim nga Policia e Shtetit”, ndërsa komisar Adriatik Tola, me detyrë përgjegjës postoblloku u ndëshkua me pezullim pa pagesë 30 ditë për mosveprim. Nga ana tjetër, ndaj nënkomisar Birbil Makriut me detyrë zv/përgjegjës për postbllokun, u mor masa disiplinore e shtyrjes së afatit të gradimit për 12 muaj, edhe ky për mosveprim, sikundër me të njëjtin ndëshkim u dënua edhe inspektori Thanas Nika, me detyrën e oficerit të patrullës së Policisë Tepelenë. Ndërkaq, dy inspektorët e tjerë, Elidon Ormëni dhe Bardhi Bineri, janë ndëshkuar me masën disiplinore për “Shtyrje afati gradimi për 12 muaj” për mosveprim. Vetëm inspektor Dëfrim Sinani mori dënimin më të ulët, vetëm me “Heqje page në masën 5 ditë punë”, për mosveprim.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›