Policia e Shkodrës trajnim për bashkëpunimin me median gjatë periudhës zgjedhore
Shkodër – Policia e Shkodrës zhvilloi një trajnim për periudhën zgjedhore të qershorit. Dje në ambientet e Drejtorisë së Policisë Qarku Shkodër, u zhvillua trajnimi me temë “Për bashkëpunimin me median gjatë periudhës zgjedhore Qershor 2009”. Ky trajnim u zhvillua mbi bazën e një programi të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe me mbështetjen e OSBE-se, Misionit Pameca, Programit ICTAP. Trajnimi u drejtua nga specialistë të disa fushave dhe institucioneve të ndryshme, në bashkëpunim me misionet e huaja dhe kishte për qëllim bashkëpunimin me median gjatë periudhës zgjedhore për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë. Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin punonjësit e policisë, të caktuar për komunikimin me median dhe specialistë të rolit të mesëm, nga Drejtoritë e Qarqeve Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër si dhe përfaqësues të OSBE-se dhe përfaqësues të mediave lokale e qendrore.
Durrës, nis plani i veprimit mbi sensibilizimin kundër lëndëve narkotike
Durrës - Në kuadër të plan-veprimet nr. 2770/1 të datës 10.04.09 “Për parandalimin, organizimin e punës për kryerjen e operacioneve policore mbi identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike Cannabis sattiva e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit”, si edhe plan-veprimit të hartuar nga ana e Shtabit kundër kultivimit të bimës narkotike të ardhur për zbatim nga ana e ministrit të Brendshëm, drejtues të Policisë së Durrësit, kanë nisur takimet me kryetarët e bashkive dhe komunave me qëllim sensibilizimin e organeve të pushtetit dhe të administratës për të përcjellë në të gjithë popullsinë e zonës frymën e luftës kundër kultivimit të bimës narkotike, si dhe për të ndërgjegjësuar popullatën se do të merren masa për vënien para përgjegjësisë penale të kultivuesve. Takimi i parë u bë në komunën e Ishmit, në të cilën morën pjesë kryetari i komunës Gëzim Ylli si edhe këshilltarët e Komunës, Kryepleqtë dhe drejtuesit e shkollave të mesme e 9-vjeçare të zonës.
Operacioni “Çanta”, kapet minoreni që vidhte çantat e grave të moshuara
Durrës - Ishin kthyer në makthin e grave të qytetit, pasi dilnin përnatë dhe u vidhnin çantat nga duart. Nuk janë pak, por 6 raste të identifikuara për vjedhje çantash prej dy personave, pa përmendur ato të cilat nuk janë denoncuar fare në polici. Në fund, policia ka arritur që përmes një operacioni të koduar nën emrin “Çanta”, të vërë nën pranga njërin nga dy autorët e këtyre grabitjeve. Sipas të dhënave për gazetën “Albania” ata janë 16-vjeçari F. R., lindur në Përmet e banues në Durrës, si edhe 17-vjeçari E. D., i shpallur tashmë në kërkim. Forcat policore bëjnë të ditur se gjatë periudhës shkurt-prill, janë evidentuar 6 raste të çantave të dorës të grave të moshuara, ku pasi është bërë kallëzim penal nga ana e të dëmtuarave janë regjistruar edhe procedimet penale përkatëse pranë prokurorisë së Durrësit për secilin rast. Të dy minorenët ishin kthyer në makthin e të moshuarave Ata pasi i ndiqnin për një farë ato gjatë aktivitetit të ditës me kryerjen e pazareve, saktësonin vendndodhjet e banesave të tyre dhe u kryenin grabitjet e çantave të dorës në hyrjet e pallatit. Duke ua shkëputur edhe me forcë, në disa raste viktimat e tyre kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Duke i ndjekur hap pas hapi, forcat e policisë ndërhynë në momentin kur F. R., po kryente vjedhjen e radhës, duke i marrë Sotira N., çantën e dorës me sende të ndryshme personale, por edhe një sasi prej 800-lekësh.
1 Maj 2009