E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 25-vjeçari me 100 kg drogë



SARANDE - Bllokohen në fshatin Vergo të Sarandës 100 kg marijuanë. Burime nga Komisariati i Policisë në Sarandë bëjnë të ditur se rreth orës 16:30 të së enjtes u kap në flagrancë 25-vjeçari Roland Ruçi. Ndalimi i të riut nga qyteti i Sarandës u bë me akuzën e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Ai është kapur në afërsi të një bunkeri kur ishte duke marrë nga brendësia e tij 4 çanta, brenda të cilave ndodheshin pakot me drogë. Pranë bunkerit, Ruçi kishte parkuar makinën e tij "Audi", me targa gjermane, me të cilën do të transportonte lëndën narkotike. Kapja në flagrancë e tij bëri që i riu të pranonte se droga ishte e tij dhe se e kishte siguruar në fshatin Lazarat. Deri në fshatin Vergo, sipas tij, droga ishte transportuar me kafshë, nëpërmjet malit të Sopotit. Prej dy ditësh e kishte fshehur në bunker, me qëllim tërheqjen e saj në momentin më të përshtatshëm. Destinacioni i drogës ishte shteti grek. Me sasinë e lëndës narkotike të kapur mesditën e djeshme në fshatin Vergo, ka shkuar në 2.8 ton drogë të sekuestruar nga blutë e Sarandës nën drejtimin e shefit të Komisariatit të Policisë, Besim Palamani, në një periudhë 4-mujore. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›