E Diel, 1 Nëntor 2026

Vili Minarolli, ambasadori i ri në Austri



Vili Minarolli do të jetë Ambasadori i ri i Shqipërisë në Austri. Ai u prezantua dje në Komisionin e Jashtëm në Kuvend. Minarolli dorëzoi vendin e Ambasadorit shqiptar në Athinë, pas 5 vitesh shërbimi në shtetin fqinj, pasi u zëvendësua nga Dashnor Dervishi. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu prezantoi kandidaturën e Minarollit para deputetëve, duke vënë në dukje eksperiencën e tij. Turdiu tha se Minarolli është doktor në shkencat e matematikës, ka një kontribut në jetën politike të vendit dhe më pas ka një kontribut në diplomacinë shqiptare. Nga ana e tij, Minarolli e cilësoi marrjen e kësaj detyre si një motiv të fortë, për të punuar drejt forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, midis Austrisë dhe Shqipërisë. Minarolli tha se po shkon ambasador në një vend mik për shqiptarët, ku historikisht nuk ka pasur asnjë problem me Shqipërinë, por vetëm mbështetje. Ai tha se rëndësi po aq të madhe do të ketë edhe tërheqja e investitorëve austriakë në Shqipëri, duke vënë theksin te projektet në fushën energjetike. Pasi u njohën me prezantimin e bërë nga zoti Minarolli, anëtarët e Komisionit për Politikën e Jashtme vijuan mbledhjen me dyer të mbyllura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›