E Diel, 1 Nëntor 2026

Masterat e doktoratat, kusht anglishtja



zirina llambro

Katër kapituj të ligjit për arsimin e lartë kanë pësuar ndryshime rrënjësore. Kreu i MASH i detajoi dje gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, këto ndërhyrje do t'i shërbejnë thellimit të reformës së nisur në arsim. Pos diplomave universitare, të cilat do të kenë emërtime dhe strukturë të re, ligji për herë të parë i jep rëndësi madhore gjuhës angleze. Mbrojtja e gjuhës nuk do të ketë më vlerë për t'u pranuar në master. Ligji përcakton si kusht zotërimin e kësaj gjuhe me certifikata ndërkombëtare. "Të gjithë studentët që do të vazhdojnë një master duhet të japin provimin e gjuhës angleze në nivel të certifikuar të testeve ndërkombëtare. E njëjta gjë do të bëhet edhe për gjuhët e tjera më vonë. Ky ndryshim është një hap përpara në rritjen e cilësisë", tha Tafaj. Ai sqaroi se Masterat e Nivelit të dytë tashmë do të hiqen, pasi për to nuk u gjetën ekuivaletë në vendet e tjera që aplikojnë Kartën e Bolonjës. Sipas Tafajt, studentët që e kanë nisur tashmë një të tillë do të diplomohen me këtë profil masteri." Kush e ka nisur, do të marrë diplomën master i nivelit të dytë, thjesht ne nuk do të hapim të tjera. Me këtë master studentët kanë mundësi të transfrojnë kreditet për doktoraturë", tha Tafaj.
Vendimmarrja
Nëse deri tani thuajse për gjithçka në arsimin e lartë duhej miratimi i Këshillit të Ministrave, ndryshime në ligj kanë decentralizuar vendimmarrjen. Nga sa theksoi ministri Tafaj, për hapjen e shkollave dhe universiteteve të reja sërish Qeveria duhet të japë "OK", programet e reja të studimit për të gjitha ciklet do të jenë kompetencë e ministrit të Arsimit, por me miratim të Këshillit të Akreditimit. Ndërsa kurrikulat do të jenë kompetencë e vetë universiteteve. "Pas konsultimeve që ne bëmë, u ra dakord që ky decentralizim ishte i domosdoshëm, në mënyrë që Këshillit të Ministrave t'i hiqej ajo pjesë vendimmarrje, shpesh shumë specifike dhe teknike", tha Tafaj.
Pedagogët
Me ndryshimet e bëra, ligji përpiqet të sqarojë procedurat e emërimit të asistentëve dhe pedagogëve me konkurs. Rregullat do të jenë të qarta dhe ai që klasifikohet i pari, duhet të emërohet. Konkursin do ta organizojë vetë universiteti.
"Duke qenë të vetëdijshëm për nevojat që ka sistemi për pedagogë, ligji precizon që personeli akademik ka të drejtë që të punojë part-time në universitete të tjera publike ose private brenda apo jashtë vendit. Këtë të drejtë e kanë edhe autoritetet drejtuese të universiteteve", tha Tafaj. Sipas tij, përmes këtij ndryshimi arrihet të shfrytëzohen në maksimum kapacitetet njerëzore.
Diplomat
Diplomat e Nivelit të Parë me ligjin e ri do të quhen diploma universitare "Bachelor", Diplomat e Nivelit të Dytë "Master i Shkencave", ndërsa "Masterat e Nivelit të Parë, thjesht "Master". është sanksionuar që ata, të cilët përfundojnë "Bachelor"-in (ish-DNP-në) mund të vijojnë studimet në "Masterin" njëvjeçar ose në "Masterin e Shkencave" dyvjeçar, që kanë zënë vendet e diplomave të deritanishme. Ndërkohë, për të vijuar doktoraturën, duhet që të kesh medoemos "Masterin e Shkencave". Ata që diplomohen këtë vit në "Master të Nivelit të Parë" do të marrin diplomë universitare "Master" dhe me të mund të vijojnë studimet "Master i Shkencave", duke konvertuar një pjesë të programit që kanë zhvilluar gjatë vitit të studimit të tyre. Masteri i Nivelit të Dytë nuk përfshihet më në sistemin tonë arsimor, sipas projektligjit të ri, duke hequr një nga hallkat më të debatuara të sistemit arsimor universitar.

Ndryshimet në Ligj

Vetëm 4 degë do të kenë studime të integruara të ciklit të dytë. Ato janë Mjekësia, Stomatologjia, Veterinaria dhe Arkitektura. Të gjitha të tjerat të ndara në "Bachelor" dhe master.
Kufizohen fushat ku mund të kryhen specializimet.
Lihen në fuqi vetëm specializimet në mjekësi dhe magjistraturën në drejtësi.
Një tjetër diplomë do t'i bashkëngjitet tashmë sistemit tonë arsimor. Kjo është diplomë jouniversitare, por që është mbi arsimin e mesëm.
Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë profesionale "Diplomë profesionale në... " Një pjesë e krediteve të studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin IAL.

Diplomat
Studimet e ciklit të parë:
c) Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare "Bachelor" në fushën e arsimimit të kryer. (Kjo diplomë zëvendësoj Diplomat e Nivelit të Parë).
Programet e studimeve të ciklit të dytë:
a) Programet e studimeve të ciklit të dytë u japin të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare "Bachelor", njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti.
c) Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare "Master i Shkencave" në fushën e arsimimit të kryer. (Kjo diplomë zëvendëson Diplomat e Nivelit të Dytë)
Programet Master
a) Programet e studimeve "Master" u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku "Bachelor", arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional.
b) Programet e studimeve "Master" realizohen së paku me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është të paktën 1 vit.
(Këto diploma zëvendësojnë Masterat e Nivelit të Parë).

Hiqen Masterat e Nivelit të Dytë
Programet e studimeve të doktoratës:
b) Në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare "Master i Shkencave".
c) Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë 40 deri në 60 kredite për studime të organizuara teorike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›