Rasmusen: Me Berishën fola për ligjin e SHISH.Opozita? S’është e lehtë ta takosh kur bojkoton
ADI SHKEMBI
NATO i bën thirrje klasës politike në Tiranë të bashkëpunojë, ndërsa opozitës të përfshihet në jetën parlamentare. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen zhvilloi dje një vizitë një ditore në vendin tonë, e para që nga koha kur ai mori drejtimin e NATO-s rreth një vit më parë. Ai zhvilloi takime me krerët e shtetit, ndërkohë që në një konferencë për shtyp me Kryeministrin Berisha tha se "unë nuk do të ndërhyj në çështjet e brendshme, por sot, kam shprehur shpresën për të parë, të gjitha partitë politike dhe grupet politike, të angazhuar pozitivisht në jetën politike në Shqipëri". I pyetur më konkretisht, nëse apeli i tij i drejtohet opozitës dhe nëse ka një vlerësim për zgjedhjet e 28 qershorit, zyrtari më i lartë i NATO-s theksoi se "Së pari mendoj se komuniteti ndërkombëtar e ka njohur mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet. Ndërsa në lidhje me pjesën e parë të pyetjes suaj, nga përvoja ime e gjatë si anëtar i Parlamentit në vendin tim, mendoj se mënyra më e mirë për të fituar influencën, gjithashtu edhe për opozitën, është të jetë në jetën politike, duke përfshirë edhe zënien e vendeve në Parlament. Këtë unë e konsideroj si angazhim pozitiv". Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha i bëri sërish thirrje opozitës për të bashkëpunuar në miratimin e reformave që kërkojnë shumicën e cilësuar në Parlament. Sipas tij, megjithëse zgjedhjet e 28 qershorit janë vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare, maxhoranca është e gatshme të pranojë të gjitha kushtet e pakicës, por që ajo të respektojë Kushtetutën. "Por sërish më duhet të theksoj se në Shqipëri nuk ekziston, qoftë edhe një dokument i vetëm, për të cilin nuk ekzistojnë procedura ligjore për deklasifikimin dhe transparencën e tij", theksoi kreu i ekzekutivit.
Ligji i SHISH
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, konfirmoi në konferencën e djeshme për shtyp edhe një bisedë me Kryeministrin Berisha gjatë kohës që në Parlament do të kalonte për miratim ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror. Ndonëse nuk pranoi të jepte detaje, ai theksoi se ligji duhet të jetë në përputhje me rregullat e NATO-s. "Së pari dua të konfirmoj që unë kam pasur një telefonatë me Kryeministrin Berisha dhe sot ne kemi diskutuar edhe atë çështje, si dhe çështje të tjera. E dyta, unë përfundimisht nuk kam ndër mend të komentoj për çështjen e shërbimit sekret ose të sigurisë. Së fundi, më lejoni të theksoj se kam besim se Qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni në Shqipëri do të jetë në përputhje të plotë me rregullat e NATO-s", u shpreh Rasmusen. Kreu i Aleancës vlerësoi kontributin e trupave shqiptare në misionin e Afganistanit, duke thënë se "Ne e çmojmë shumë angazhimin tuaj ndaj aleancës sonë dhe kontributin tuaj domethënës ndaj misionit tonë në Afganistan. Dhe unë mirëpres ngrohtësisht përgjigjen tuaj pozitive ndaj kërkesës sonë për kontribute shtesë për operacionet në Afganistan". Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i bëri të ditur kreut të NATO-s, vendimin e fundit të Qeverisë për të ndërtuar 8 shkolla të reja në Afganistan, si dhe për të ofruar 100 bursa studimi.
Meta: Ne, 85 trupa shtesë në Afganistan
Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta priti dje paradite Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen. Në një deklaratë për shtyp, ai theksoi se "Aleanca është në një moment kyç të përpjekjeve të saj të jashtëzakonshme, në mënyrë që kjo pikë të mbarojë sa më shpejt dhe me sukses. Në këtë drejtim theksova edhe një herë angazhimin tona për të vijuar në rritjen e kontributit të vendit tonë, që është bërë publike prej disa kohësh, pra për një kontribut shtesë, për një personel rreth 85 vetësh". Sipas Metës, në takim u diskutua edhe mbi konceptin e ri strategjik të aleancës.
Imami: Kemi ushtri profesioniste
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka investuar në drejtim të Forcave të Armatosura. "Ministri Imami informoi Sekretarin Rasmussen mbi zhvillimet në FA Shqiptare, ku përmendi miratimin e planit të përhapjes dhe të strukturës së FA, që përbëjnë bazën e një ushtrie të re profesioniste. Aktualisht, theksoi z. Imami, jemi në fazën përfundimtare të miratimit të strukturës së integruar të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, gjë që do t'i jap autonomi më të plotë Forcave tona të Armatosura për trajnimet, stërvitjet, operacionet, kryerjen e misioneve etj", thuhet në njoftimin për shtyp.
Rasmusen: S'është e lehtë të takosh opozitën, s’e kuptoj pse bojkotojnë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen ka shpje-guar arsyen përse gjatë vizitës një ditore në Tiranë nuk ka takuar përfaqësuesit e opozitës. Në një intervistë për TV Ora News, dhënë drejtorit të informacionit Roland Qafoku, teksa u pyet për këtë çështje theksoi se "Unë kam takuar anëtar të Parlamentit. Unë nuk e kuptoj pse opozita aktuale bojkoton Parlamentin. Nuk është e lehtë t'i takosh ata. Më lejoni që të shfrytëzoj këtë mundësi që të inkurajoj opozitën që të angazhohet pozitivisht dhe në mënyrë sa më aktive në jetën politike. Unë personalisht e them këtë si politikan". Në të njëjtën kohë, ai theksoi se "shumica (maxhoranca) dhe opozita duhet të gjejnë mënyrat për t'u angazhuar në Parlament. Unë theksoj rëndësinë e madhe të konsensusit të gjerë në Parlament dhe në shoqërinë shqiptare. Në përputhje me këtë vend si anëtar i NATO-s, kjo është gjëja më e rëndësishme që mund të theksoj". Sekretari i përgjithshëm i NATO-s vlerësoi rolin e Shqipërisë përsa i përket misioneve ushtarake. "Unë mendoj që Shqipëria mund të luaj një rol të madh, të paktën në dy aspekte. Së pari, si një kontribuese e vërtetë në Afganistan. Shqipëria është angazhuar në bazën perëndimore të Afganistanit, në Kabul. Qeveria shqiptare i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për kontribut shtesë për koalicionin në Afganistan. Por ky është një kontribut konkret në operacionet tona".