Ballsh, zhvarroset e para viktimë e burgut politik
BALLSH/ MAJLINDA RAMA
Nis operacioni për zhvarrimin e kufomave të ish-të përndjekurve politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin në Burgun 309 në Ballsh. Një fadromë dhe punonjës me lopata bënë të mundur nxjerrjen e eshtrave të para që i përkisnin një ish-të burgosuri vlonjat për të vazhduar sot me varret e tjera. Gjatë këtij procesi, të nisur mesditën e djeshme, merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Arkivave dhe Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit, përfaqësues nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, si dhe ekspertë të Kriminalistikës dhe të policisë së Fierit. Dokumentet zyrtare të Arkivit të Shtetit tregojnë për rreth 80 emra, të cilët mbeten ende enigmë dhe kërkohen nga familjarët. Por në këtë vend-varrezë, sipas autoriteteve përkatëse, mësohet se mund të jenë rreth 60 ish-të burgosur. Sipas të pranishmëve, të cilët po merren nga afër me këtë çështje mësohet se rreth 30 persona mund të jenë zhvarrosur nga familjarë dhe të afërm që kanë qenë në kërkim të këtij vendi. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe Simon Miraka, drejtori i Institutit të ish-të të Përndjekurve Politikë, flasin për një varrezë, për të cilën posedohet edhe skica përkatëse me të gjithë numrat përkatës të ish-të burgosurve. Në bazë të kësaj skice, ekspertët e kriminalistikës kanë ndërhyrë duke nisur edhe aksionin përkatës. Fare pranë varrezës publike është një sipërfaqe prej 20 m2, në të cilën janë të vendosura eshtrat e secilit prej të varrosurve aty.
Rreth 70 cm nën tokë u gjet edhe varri i parë me eshtrat e njërit prej të varrosurve në këtë zonë. Në fillim u gjet shishja, për të cilën autoritetet kishin informacion se do ta gjenin në çdo gropë që do hapet. Në shishe nuk ndodhej emri, por një numër, nëpërmjet të cilit duhej të shihje në listën emërore për të gjetur se kujt i përkiste. Nga verifikimi rezultoi se eshtrat e të parit që u nxorën ishin ato të shtetasit Mustafa Koroci, nga fshati Kuç i rrethit të Vlorës. Sipas listës që posedonin ekspertët, ky shtetas kishte lindur në vitin 1919 dhe kishte vdekur në 1970. Kufoma mund të ketë qenë rreth 1.70 cm e gjatë, ndërkohë nuk dihet dhe nuk mund të flitet ende nëse ky shtetas mund të ketë pësuar vdekje natyrale apo ekzekutim. Kjo i mbetet mjekësisë ligjore për ta vërtetuar. Ndërkohë edhe pas gjetjes së këtyre eshtrave, aksioni do të vijojë edhe në ditët e tjera për të nxjerrë gjithçka që ka nën dhe', në këtë sipërfaqe fare të vogël toke.
Grupi i ekspertëve pritet të kryejë tashmë identifikimin e kufomave me anë të shënimeve të letrave që janë vendosur në shishe në secilin varr dhe dokumentit që ka në dorë shteti. Kufomat më pas do t'u nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore për identifikimin e plotë dhe sqarimin e rrethanave të vdekjes së këtyre personave, ndërsa pritet që të njoftohen edhe familjarët në ditët në vijim. Nxjerrja e eshtrave të para dëshmon tashmë për një epokë të dhimbshme të sistemit komunist me viktima për të cilat është folur fare pak. Dëshmi e një sistemi, ku njeriu nuk trajtohej si i tillë dhe ku familja nuk kishte të drejtë ta qante në një varr që të njihej nga familjarët. Viktimat e varrezës së Panahorit kanë qenë të gjithë të dënuar politikë, të cilët kanë humbur jetën në burgun e Ballshit, para se të përfundonin kohën e vuajtjes së burgut. Dëshmitarë të asaj periudhe tregojnë se të dënuarit politikë u shfrytëzuan për të ndërtuar uzinën e përpunimit të naftës dhe një pjesë e mirë e tyre ndërruan jetë për shkak të sëmundjeve të ndryshme.
“Familjarët një varr për të afërmit e tyre”
Simon Miraka, drejtori i Institutit të ish-të të Përndjekurve Politikë ka qenë ndër të parët që me arkivin e Ministrisë së Brendshme zbuloi listën dhe skicën e të burgosurve të varrosur në Panahor. "Shpresojmë që me gjetjen e disa eshtrave t'u japim mundësinë familjarëve që të kenë një varr për të afërmit e tyre. Dikur slogan ka qenë: "Njeriu, kapitali më i çmueshëm", por de fakto njeriu nuk kishte asnjë vlerë, sepse po shohim mënyrën se si janë varrosur këta njerëz. Ata mendonin për një Shqipëri më të mirë dhe kjo ka qenë arsyeja e ngujimit të tyre nëpër burgje, kampe internimi dhe ekzekutim me gjyq e pa gjyq". Sipas tij, bazuar në të dhëna dhe fakti që një pjesë e eshtrave janë tërhequr nga familjarët, mund të gjenden ato të rreth 30-40 viktimave.
Alibeaj: Amanet për të gjetur familjarët e mi
Ish-ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, është pjesë e grupit të punës që po kujdeset për këtë proces. Jo vetëm në statusin e funksionarit zyrtar, por edhe për çështje amaneti, pasi ende sot, trupi i gjyshit dhe i xhaxhait të tij nuk gjenden.
Zoti Alibeaj, si qëndron e vërteta sipas jush për këtë varrezë?
Në fakt, këtu ndodhet një varrezë, e cila mban nën dhe' më shumë se 60 të dënuar politikë të asaj kohe, të dënuar në Burgun 309 të Ballshit. Të gjithë personat e burgosur kanë qenë të dënuar për krime politike dhe duket që fundi i tyre, shumë i palavdishëm, ka qenë këtu poshtë, në nëntokë. Duket që ky vend më tepër sesa nevojë për gërmime, ka nevojë të gërmojë në historinë e vet, për të gjetur identitetin e kësaj shoqërie dhe për të vlerësuar objektivisht atë çfarë ka ndodhur gjatë regjimit komunist, për të vlerësuar saktë historinë, për të parë se ku jemi dhe për të parë mbi të gjitha se ku jemi duke shkuar. Pa bërë historinë e kësaj shoqërie, kurrsesi nuk do të jemi një popull dhe një shoqëri dinjitoze për të shkuar atje ku duam të shkojmë.
çfarë ju shtyu konkretisht për një nismë të tillë?
Sigurisht që ka qenë një shtysë personale imja. Familjarë të mi janë ata që tashmë ndodhen nën tokë, por që ende nuk janë gjetur. Një gjë e tillë ka bërë që ky të jetë ndoshta edhe një lloj amaneti për njerëz të shtresës që unë përfaqësoj, për të gjetur thjesht dhe vetëm eshtrat, ndoshta kujtimin e fundit të njerëzve më të dashur.
A dihej prania e kësaj varreze më parë?
Kjo varrezë nuk dihej. Dihej thjesht se ku ndodhej burgu politik i Ballshit dhe dihej që në evidencat e atij burgu mungonin njerëz. Nga kërkimet në arkivat e Ministrisë së Brendshme, gjatë kohës që jam marrë edhe me procesin e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, jam vënë në dijeni të këtij fakti, të listës, të hartës përkatëse dhe erdhi koha tashmë për nxjerrjen e eshtrave të të dënuarve politikë. Me urdhër të Kryeministrit Berisha është ngritur një Task Forcë për këtë qëllim dhe puna ka filluar pikërisht këtu.
Sipas jush, nga të dhënat që posedoni, personat që ndodhen në këto varreza kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrore apo janë ekzekutuar?
E rëndësishme është që kanë qenë të dënuar politikë, të dënuar padrejtësisht nga ai regjim dhe akoma më e rëndësishme për të gjithë shoqërinë është që këta njerëz fundin e tyre e kanë pasur në atë tokë.