E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau vëllain e Lul Cakës, ekstradohet



TIRANE - Interpoli ka ekstraduar dje nga Milano të Italisë autorin e vrasjes së vëllait të Lul Cakës, i cili është i dënuar me 20 vjet burg në mungesë. Burime nga policia thanë se në orën 17:30 ka zbritur i prangosur në Aeroportin e Rinasit, i shoqëruar nga oficerët e Interpol-Tiranës, Martin Begaj, i njohur edhe si Manol Begaj, nga fshati Sematicë i Beratit. Begaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Beratit me vendimin e datës 15 mars të vitit 2001 e ka dënuar atë me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale te "vrasjes me paramendim" dhe "armëmbajtjes pa leje". Ai akuzohet se më 29 nëntor të vitit 1999, në fshatin Sematicë të Beratit ka vrarë me armë zjarri Bardhok Cakën, vëllain e Lulzim Cakës, i cili tashmë vuan dënimin për vrasje në Burgun e Peqinit. Sipas policisë, motivi i krimit ka qenë hakmarrja, pasi vëllai i viktimës, Lulzim Caka, disa kohë më parë kishte vrarë Kastriot Begajn, vëllai i të ekstraduarit Martin Begaj. Ky i fundit u shpall në kërkim dhe u arrestua më 4 tetor të vitit 2009 në Itali, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, ku do të kryejë dënimin e dhënë në mungesë nga gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›