Arrestohet 28-vjeçari, kreu marrëdhënie seksuale me të mitur
Edhe në Pogradec është arrestuar një 28-vjeçar, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dashurën e tij
Policia e Vlorës ka bërë të mundur arrestimin e 28-vjeçarit, Ervis Alushi, banues në Selenicë. Sipas burimeve nga Policia e Vlorës mësohet se ndalimi i 28-vjeçarit është bërë për arsye se para rreth dy muajsh, dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, ngjarje për të cilën është regjistruar procedimi penal dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Po të njëjtat burime saktësuan se ai akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”, e kryer në kushtet e bashkëpunimit, parashikuar nga neni 101/2 i Kodit Penal.
Nga burime konfidenciale brenda policisë, bëhet me dije se ngjarja e cila ka ndodhur mbi një muaj më parë, në një nga lokalet e Tiranës, ku Ervis Alushi së bashku me dy shokët e tij, të cilët tashmë janë në kërkim, e kanë marrë të miturën, 16-vjeçaren me iniciale B.C. dhe e kanë çuar në Tiranë ku dhe atje është kryer dhe marrëdhënia seksuale me dhunë, për të cilën ka kallëzuar e mitura. Ndërkohë, prej një periudhe një mujore, e mitura e ka mbajtur të fshehur këtë ngjarje, por ka qenë këmbëngulja e prindërve që ajo të tregonte dhe më pas të shkonte të denonconte. Të rinjtë, emrat e të cilët për arsye hetimi nuk bëhen të ditur, janë fshehur, kurse njëri prej tyre është arrestuar nga Policia e Vlorës. Djali mësohet të jetë mbrojtur duke thënë se e ka pasur të dashur dhe e njeh prej kohësh, duke mohuar përdhunimin, ndërkohë që vijojnë hetimet.
Pogradec
Përdhunon të dashurën në hotel, përfundon në burg 22-vjeçari. Është krijuar në dukje si një histori dashurie mes një të riu, banor i fshatit Vërdovë në Pogradec, dhe një 16-vjeçareje nga qyteti liqenor. Por në fakt, Denis Latifllari ka joshur vajzën, në emër të një simpatie që ka ekzistuar tek ajo dhe e ka shfrytëzuar sinqeritetin e saj duke e përdhunuar atë. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në qytetin e Pogradecit, pas denoncimit që gjimnazistja me inicialet I.K. banore e lagjes 1 në këtë, qytet ka bërë në komisariatin e policisë. Vetëm në orët e vona të mbrëmjes është bërë i mundur arrestimi i autorit të ngjarjes. Mësohet se Latifllari ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën, pavarësisht tentativës së saj për t’u larguar. Gjithçka ka ndodhur në një hotel në qytetin buzë liqenit, kur i riu e ka ftuar vajzën adoleshente për një kafe. Vajza e cila është joshur nga i arrestuari për ftesën e tij, e ardhur në mënyrë të veçantë, nuk ka menduar se do të përjetonte një nga ditët më të vështira në jetën e saj. Sipas deponimeve që ajo ka dhënë në polici, mësohet se gjimnazistja është futur me forcë në një nga dhomat e hotelit dhe më pas është përdhunuar nga i riu. Ndonëse 16-vjeçarja ka tentuar të largohet, nuk është lënë nga i njohuri i saj, i cili pas aktit të tij e ka kërcënuar me jetën, nëse ajo tregonte për atë që kishte ndodhur. E tmerruar, vajza nuk ka preferuar të shkojë në shtëpinë për të folur me prindërit, por ka kërkuar ndihmë në policinë pogradecare. Ajo ka denoncuar përdhunuesin e saj, i cli pas hetimeve të para kë përfunduar në pranga. Mbi Denis Latifllarin, banor i fshatit Vërdovë në rrethin e Pogradecit, rëndon akuza “Marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitur”. Policia vazhdon hetimet, teksa janë marrë edhe disa persona të tjerë në pyetje, që kanë pasur dijeni për ngjarjen.
Irena Vreto