E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllon me sqepar djalin, nusen dhe Ish-bashkëshorten, kapet 69-vjeçari

Bilal Matraku akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe plagosje, pasi ka qëlluar me sende të forta tre pjesëtarë të familjes së tij

DURRËS Një 69-vjeçar nga qyteti i Durrësit është vënë në pranga dhe akuzohet për vrasje me dashje, të mbetur në tentativë dhe plagosje, pasi ka qëlluar me sende të forta tre pjesëtarë të familjes së tij. Burimet e Policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Bilal Matraku është autori që ka qëlluar disa herë me sqepar në kokë nusen e djalit të tij, shtetasen M.Matraku 29 vjeç si dhe djalin e tij, I.Matraku 36 vjeç. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se 69-vjeçari, i divorcuar me bashkëshorten e tij H.Matraku 69 vjeç, e ka kryer sulmin ndaj tre personave të ish familjes së tij pasditen e së dielës, pas një konflikti që ka nisur mes tyre për motive të dobëta. Të njëjtat burime kanë shtuar se Bilal Matraku e ka qëlluar nusen e djalit disa herë me sqepar në trup dhe kokë, ndërkohë që kjo e fundit ka marrë dëmtime të rënda. Ajo është dërguar fillimisht në spitalin e Durrësit dhe më pas është transferuar drejt Spitalit Ushtarak, ku është akoma nën mbikëqyrjen e mjekëve. Burimet policore kanë deklaruar se 29-vjeçarja gjendet aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Viktima të sulmit të 69-vjeçarit kanë mbetur edhe djali i tij dhe ish-bashkëshortja. Pasi ka qëlluar nusen, ai është turrur drejt tyre duke i qëlluar me sende të forta në kokë. Djali dhe ish-bashkëshortja e tij kanë marrë dëmtime në kokë, por pa rrezik për jetën. Policia ka bërë të ditur se sherri që ka përfunduar me plagosje të rënda ka nisur pas debateve që kanë pasur dy palët për shkaqe pronësie. 69-vjeçari nuk banon aktualisht në banesën ku është pjesa tjetër e familjes së tij, por ai ka kërkuar pjesën e shtëpisë ku dikur jetonte familja Matraku. Kundërshtimi i ish- bashkëshortes si dhe djalit me nusen për këtë problem, e ka shtyrë 69-vjeçarin që të ndërmarrë veprimet e dhunshme. Ai është vënë në pranga po atë ditë, gjatë mbrëmjes, pas denoncimit që kanë bërë në polici shtetasit e mësipërm.

Paditë e tjera

Gjatë fundjavës u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes për një 22-vjeçare, banuese në Durrës, e cila pretendon se bashkëshorti i saj, shtetasi A.Sh., 31 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike mbi të në mënyrë sistematike. Po kështu një 29-vjeçare, banuese në rrethin e Durrësit, e cila deklaron se me datë 19.05.2011, rreth orës 08:30, bashkëshorti i saj G.B., 33 vjeç, e ka dhunuar fizikisht duke i shkaktuar dëmtime të lehta në kokë e krah. Materialet iu kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›