“Gërdeci”, Gjykata e Lartë nis gjyqin kundër Mediut
Njëri prej të plagosurve të tragjedisë, Zyber Lela ka kërkuar dëmshpërblim nga ish-ministri Mediu për 3 operacione që duhet të bëjë. Kolegji Penal pranon padinë e tij
Tiranë Zyber Lela, një nga të plagosurit në shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008, ka refuzuar dje në Gjykatën e Lartë të pajtohet me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në seancën e parë për shqyrtimin e kërkesës së Lelës, i cili akuzon ish-ministrin Mediu për plagosje të rëndë nga pakujdesia, fillimisht kolegji penal kërkoi respektimin e procedurës, duke zhvilluar seancën e pajtimit mes të dëmtuarit akuzues dhe të paditurit. I plagosuri Lela, i cili shoqërohej në sallën e gjyqit nga vëllai i tij, tha para gjykatës se në këtë fazë, ai nuk mund të zgjidhë çështjen me pajtim me ish-ministrin e Mbrojtjes. Duke folur para kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, i plagosuri Lela tha se ai ka tentuar të zgjidhë çështjen në rrugë jashtëgjyqësore me të akuzuarin prej tij, por ky i fundit nuk ka pranuar. I dëmtuari nga shpërthimi tragjik tha se kërkon nga ish-ministri vetëm shpenzimet që do të paguajë për të paktën tri ndërhyrje kirurgjikale, që do t’i mundësojnë atij eliminimin e dëmtimeve fizike. Zyber Lela tha se ka nevojë për të paktën tre operacione, një në shpatull, që mund të kushtojë deri në 10 mijë euro, një tjetër në shtyllën kurrizore, ku sipas mjekëve duhet të vendosin disa pllaka platini, që kushton deri në 20 mijë euro, si dhe një ndërhyrje tjetër kirurgjikale që do kryejë në zemër, vlera e të cilës mund të jetë më e madhe. Për të gjitha këto arsye, Zyber Lela kërkoi nga gjykata që kërkesa e tij të pranohet, duke refuzuar kështu edhe pajtimin me të paditurin prej tij, ish-ministrin e Mbrojtjes në kohën kur ndodhi shpërthimi tragjik i Gërdecit, Fatmir Mediun. Pas kësaj faze, gjykata vendosi të kalojë çështjen për shqyrtim, duke caktuar datën 6 qershor për zhvillimin e seancës së ardhshme. Nëse gjykata vëren elementë të veprës penale, atëherë ai mund të thërrasë si të pandehur ministrin aktual të Mjedisit, por një gjë e tillë do të vendoset, ose jo, pas shqyrtimit të kërkesës. Seanca e djeshme është komentuar nëpërmjet një njoftimi për shtyp edhe nga qendra “Res Publica”, e cila asiston me ndihmë juridike të plagosurit dhe familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Sipas njoftimit për shtyp të kësaj qendre bëhet me dije se: “Në seancën e sotme (djeshme) sipas procedurës normale të një gjykimi, është propozuar nga Gjykata zgjidhja me pajtim, zgjidhje kjo që nuk u mor në konsideratë si veprim procedural nga Zyber Lela, duke mos pranuar kështu të tërhiqet nga kërkesa tij. Pas këtij momenti juridik, Gjykata doli me vendimin për të kaluar në fazën e hetimit gjyqësor, duke thirrur si të pandehur Fatmir Mediu. Ky vendim synon të realizojë vënien përpara drejtësisë të ish ministrit të Mbrojtjes, duke ia lenë drejtësisë të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e tij”. L.Bakillari