E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i Vlorës paralizohet sërish, asnjë traget drejt Italisë

Tragetet janë nisur për të rinovuar certifikatat e tyre dhe për të kryer kontrollin rutinë të tyre në Brindizi

VLORË Porti i Vlorës, sërish do të vuajë mungesën e trageteve, situatë që ka qenë prezente prej ditës së djeshme. Këtë herë drejtues të portit pohojnë se nuk bëhet fjalë për një tjetër ikje për në Libi. Kasem Mahmutaj, drejtor i portit të Vlorës, sqaroi se “Është një kontroll që bëjnë periodikisht tragetet dhe që shërben për rinovimin e certifikatave të tyre. Pra është një kontroll rutinë, që për njërin do të kryhet në portin e Brindizit dhe tjetri në Pire. Njoftimi është bërë në afate kohore të parashikuara me ligj, por sidoqoftë, unë kam marrë një kontakt paraprak me drejtuesit e agjencive, duke qenë që largimi ishte i njëkohshëm, u kam kërkuar të shihnin mundësinë që kjo të mos bëhej në të njëjtin moment, por datat kanë qenë të vendosura dhe kjo rezultoi e pamundur. Duke qenë kjo mungesë, u kam kërkuar agjencive të njoftojnë nëpërmjet medias largimin e tyre dhe veç kësaj të garantojë shërbimin për pasagjerët dhe klientët e tjerë që do të kërkojnë këtë shërbim nëpërmjet portit të Durrësit. Tragetet do të kthehen, njëri në datën 27 maj dhe tjetri pas 10 ditësh”. Mungesa e operimit për këto ditë krijon defiçite në të ardhurat e portit, por bëhet fjalë për një proces legal, që është ligjor dhe është i detyrueshëm për të realizuar”.

Kreu i portit e ka vlerësuar këtë një situatë krejtësisht të ndryshme nga largimet e mëparshme, ku pavarësisht se agjencitë justifikuan me riparime, kjo nuk rezultoi e vërtetë. Tragetet ishin në Libi. “Për këtë arsye, ne si port aplikuam gjobat dhe realizuam dhe amendimin e kontratës pikërisht për këtë pikë, duke rritur sanksionet financiare, nga 300 euro që ishin më parë, shkojnë në 1500 euro, apo dyfishohen në 3 mijë euro në ditë, kur lëvizjet janë të pajustifikuara. U bë kjo për tu prerë rrugën lëvizjeve të tilla abuzive.

Gjithsesi, mungesës së tanishme, e cila quhet e justifikuar, nga ana e portit ajo që shihet si rrugëzgjidhje është futja në port e agjencive të tjera, për të rritur edhe konkurrencën ndërmjet këtyre shërbimeve” pohoi ai. Drejtues të portit pohojnë se për këtë po punohet konkretisht, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare abuzimeve të kryera së fundmi.

ER.HA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›