Vetëdorëzohet 3 muaj pas vrasjes djali i deputetes Luiza Xhuvani
Tiranë Vetëdorëzohet në polici Kostandin Xhuvani, i akuzuar për vrasje tre muaj më parë. Djali i çiftit të njohur Luiza dhe Gjergj Xhuvani është paraqitur dje në polici, tre muaj pas vrasjes së Alfred Musabelliut. Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht dorëzimin e 22- vjeçarit, që dyshohet të jetë autori kryesor në vrasjen e shtetasit Alfred Musabelliu, ngjarje e ndodhur më datë 12 shkurt 2011 në Tiranë. “Kostandin Gjergj Xhuvani u ndalua dje pas vetëdorëzimit për konsumim të veprës penale të vrasjes me dashje dhe të armëmbajtjes pa leje, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës. E ndërsa 22-vjeçari ka qenë në kërkim, Prokuroria e Tiranës kishte dorëzuar në gjykatë kërkesën për vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj Albi Zelës, shok i Xhuvanit dhe të dy akuzohen për vrasje me dashje. Nga hetimi i prokurorisë rezulton se në datën 12 shkurt 2011, rreth orës 07.30 të mëngjesit, në rrugën “Ali Visha”, në banesën private në pronësi të shtetases Shpresa Zela, Kostandin Xhuvani dhe Albi Zela, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë me armë zjarri pistoletë për motive të dobëta shtetasin Alfred Musabelli dhe më pas janë larguar. “Konkretisht viktima, shtetasi Alfred Musabelli së bashku me dy shokët e tij, shtetasit Andi Grori dhe Pjerin Prenga ka shkuar në banesën e shtetasit Albi Zela për t’u sqaruar lidhur me një konflikt që kishin patur më parë me njëri tjetrin. Pasi ka hyrë në banesën e shtetasit Albi Zela, i ndjeri është takuar me të dhe me shtetasin Konstandin Xhuvani, ndërsa shtetasit Andi Grori dhe Pjerin Prenga kanë qëndruar jashtë banesës. Pasi janë takuar, i ndjeri dhe shtetasi Albi Zela kanë filluar të konfliktohen me njëri-tjetrin. Aty ka ndërhyrë edhe shtetasi Konstandin Xhuvani, i cili menjëherë ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, pistoletë dhe ka qëlluar të ndjerin Alfred Musabelli në kokë, nga pjesa e përparme, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme. Pasi kanë dëgjuar të shtënat shtetasit Andi Grori dhe Pjerin Prenga janë larguar me vrap të frikësuar. Në këtë moment shtetasit Konstandin Xhuvani dhe Albi Zela kanë dalë jashtë nga shtëpia dhe i kanë ndjekur nga pas, ku Konstandini ka qëlluar me pistoletë, ndërsa Albi me gurë”, - shkruhet në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Tiranës. Hetimi i prokurorëve dhe policisë ka zbuluar se pas vrasjes, 22-vjeçari Kostandin Xhuvani është larguar nga vendi i ngjarjes me mjetin me targa DR 6088 A të shtetasit Ermal Gjici, kurse shtetasi Albi Zela është larguar dhe ka shkuar në banesën e dajës së tij, ku edhe është kapur më pas nga policia. Nga ana tjetër, miqtë e viktimës, Andi Grori, Pjerin Prenga dhe Elton Alija janë kthyer sërish te banesa e shtetasit Albi Zela dhe pasi kanë kapërcyer murin rrethues, pasi dera ishte e mbyllur kanë gjetur të shtrirë në tokë pa jetë të ndjerin Alfred Musabelli, të cilin e kanë transportuar me automjetin e tyre në Spitalin Ushtarak. Vetëdorëzimi i Kostandin Xhuvanit i jep fund ballafaqimit në gjykatë të dy të dyshuarve si të implikuar në vrasje dhe të akuzuar nga prokuroria e Tiranës si autorë të kësaj vrasjeje. Vetëdorëzimi i Xhuvanit ka ardhur pas një jave negociatash intensive mes të afërmve të tij dhe policisë së Tiranës.
Si u ekzekutua Alfred Musabelliu
Alfred Musabelli së bashku me dy shokët e tij, shtetasit Andi Grori dhe Pjerin Prenga ka shkuar në banesën e shtetasit Albi Zela për t’u sqaruar lidhur me një konflikt që kishin patur më parë me njëri-tjetrin. Pasi ka hyrë në banesën e shtetasit Albi Zela, i ndjeri është takuar me të dhe me shtetasin Konstandin Xhuvani, ndërsa shtetasit Andi Grori dhe Pjerin Prenga kanë qëndruar jashtë banesës. Pasi janë takuar, i ndjeri dhe shtetasi Albi Zela kanë filluar të konfliktohen me njëri-tjetrin. Aty ka ndërhyrë edhe shtetasi Konstandin Xhuvani, i cili menjëherë ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, pistoletë dhe ka qëlluar të ndjerin Alfred Musabelli në kokë, nga pjesa e përparme, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme.