E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja, Gjykata e Lartë bashkon në 1 dosje Metën e Prokurorinë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 24-05-2011 12:43

Tiranë Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi të bashkojë kërkesën e avokatëve të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta me dosjen e Prokurorisë së Përgjithshme. Vendimi i trupit gjykues, me relator gjyqtarin, Mehdi Bici, u dha pas një pauze që zgjati rreth dy orë, kohë gjatë të cilës gjyqtarët u konsultuan për të dalë me një qëndrim përfundimtar për këtë çështje. Në fillim të seancës gjyqësore, ku mungonte Ilir Meta, trupi gjykues kërkoi nga palët të bënin prezente kërkesat e tyre paraprake. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, prokurori Bujar Sheshi tha se kërkesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurit Ilir Meta duhet t’i bashkohet çështjes në themel dhe të shqyrtohet nga Kolegji Penal i kësaj çështjeje. I pyetur nga gjykata se cila ishte baza ligjore e kësaj kërkese, përfaqësuesi i akuzës tha se nuk ka bazë ligjore, pasi edhe kërkesa e avokatëve për papërdorshmërinë e provave nuk është e mbështetur në asnjë bazë ligjore. Sipas tij, duke qenë se kërkesa për papërdorshmëri është bërë gjatë kohës që çështja ishte ende nën hetim e tashmë dosja penale është depozituar në Gjykatën e Lartë, edhe kjo kërkesë duhet të shqyrtohet nga kolegji penal që do të gjykojë çështjen në themel. Ky pretendimi i prokurorit u kundërshtua nga avokatët mbrojtës të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, të cilët i kërkuan gjykatës të shqyrtojë kërkesën e tyre për shpalljen e papërdorshme të provave të prokurorisë, përfshirë edhe dy akt-ekspertimet e kryera me vendim të prokurores Anila Leka. Avokati Petrit Serjani tha se prokuroria ka anashkaluar tërësisht të mbrojturin prej tij, duke shkelur kështu të drejtën e një procesi të rregullt ligjor. Ndërsa kolegu i tij, avokati Gëzim Veleshnja argumentoi pse kjo kërkesë duhet të shqyrtohej nga ky trup gjykues dhe jo t’i bashkangjitej dosjes penale në ngarkim të të mbrojturit prej tij. Sipas avokatit Veleshnja, kërkesa për papërdorshmërinë e provave të prokurorisë është paraqitur gjatë kohës që çështja ishte ende nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe për këtë arsye, ajo duhej të ishte shqyrtuar që kur u depozitua në Gjykatën e Lartë. “Nëse kërkesa jonë do të ishte shqyrtuar pas depozitimit në Gjykatën e Lartë, i mbrojturi prej nesh tashmë nuk do të ishte në trysninë e prokurorisë, duke u marrë si i pandehur” - tha avokati Veleshnja, duke kërkuar nga gjykata shqyrtimin e kësaj kërkese. I gjithë diskutimi mes palëve të pranishme në seancën e djeshme gjyqësore zgjati për rreth 30 minuta, kohë kjo e barabartë me çerekun e kohës që iu desh trupit gjykues për të marrë vendimin. Pesë gjyqtarët u tërhoqën për vendim rreth orës 14:00, për të shpallur qëndrimin e tyre përfundimtar vetëm në orën 16:00, pra pas dy orësh. Shpallja e vendimit që zgjati rreth 30 sekonda, bëri publik për të pranishmit në sallën e gjyqit se gjykata kishte vendosur të pranonte kërkesën e prokurorit, çka do të thotë se kërkesa e avokatëve të Ilir Metës duhet të shqyrtohet nga kolegji penal, që do të gjykojë çështjen në themel.

Pesë gjyqtarët që do të gjykojnë Metën

Gjykata e Lartë ka hedhur tashmë shortin, ku është përcaktuar kolegji penal me 5 gjyqtarë, i cili ende nuk ka caktuar datën kur do të nisë shqyrtimi gjyqësor, ku i pandehur për akuzën e korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror është ish-zv.kryeministri Ilir Meta. Meta u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, pas një hetimi rreth tre mujor, që nisi pas publikimit të një video-përgjimi mes tij dhe ish-vartësit Dritan Prifti, në zyrën e këtij të fundit në Ministrinë e Ekonomisë. Organi qëndror i akuzës përfundoi hetimet pak kohë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e tij për heqjen e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, i akuzuar për korrupsion aktiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›