E Diel, 1 Nëntor 2026

Mallrat “Made in Albania”, fitojnë të drejtën e shitjes në tregjet ndërkombëtare



Ervin KOÇI

Produktet origjinale shqiptare që do të mbajnë siglën “Made in Albania” (Prodhuar në Shqipëri), do të jenë të mbrojtura dhe do të tregtohen njësoj si produktet e vendeve më të zhvilluara, në të gjitha tregjet e botës. Tashmë këto produkte mbrohen me anë të një konvente Ndërkombëtare që është hartuar nga OKB-ja dhe ka në përbërje të saj 73 vendet më të zhvilluara të botës. Konventa e OKB-së për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (CISG), e miratuar në mars të këtij viti edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, synon të lehtësojë biznesin shqiptar në tregtinë ndërkombëtare të mallrave. Përfaqësues nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Tregtinë Ndërkombëtare (UNCITRAL), GTZ-ja, Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Ekonomisë, kanë bërë dje prezantimin dhe zbatimin në praktikë të kësaj konvente, kontekstin ligjor dhe ekonomik të saj, si dhe përfitimet e biznesit shqiptar prej saj. Renaud Sorieul, Drejtor i Sekretariatit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Tregtinë Ndërkombëtare (UNCITRAL), tha se "CISG është konventa që shërben për të kapërcyer vështirësitë ligjore dhe për të hedhur themelet për përmirësimin e shitjes ndërkombëtare të mallrave, mes shumë shteteve në mbarë botën që kanë miratuar këtë Konventë". Sipas tij, kjo Konventë, e përgatitur nga OKB-ja dhe e miratuar në vitin 1980, ka tani 73 vende anëtare, ku përfshihen edhe vendet e marrëveshjes “CEFTA”, si edhe të gjithë partnerët e mëdhenj tregtarë të Shqipërisë siç janë, Italia, Greqia, Kina, Gjermania, etj. Konventa ndërkombëtare e OKB-së është miratuar edhe prej Kuvendi të Shqipërisë, duke i dhënë një mundësi më tepër sipërmarrjeve shqiptare që të tregtojnë produktet e tyre pa pengesa jashtë vendit. Thelbi i konventës ka të bëjë me krijimin e kontratave dhe me të drejtat dhe detyrimet e blerësit dhe të shitësit: lëvrimi i mallit, dorëzimi i dokumenteve, shlyerja e pagesës. Konventa mbulon gjerësisht edhe shkeljen e kontratave dhe masat ligjore përkatëse, që vihen në dispozicion për zhdëmtimin e palëve. Shqipëria po njihet si një vend që ka zbatuar ligjin modern të prokurimit publik, regjistrimit të biznesit, si dhe ratifikimin e një sërë marrëveshjesh për zhvillimin e aktivitetin kombëtar dhe ndërkombëtar të biznesit. Aderimi i Shqipërisë në këtë konventë tregtare, synon nga ana tjetër edhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend, zhvillimin e tregtisë dhe thithjen e investitorëve të huaj. “CISG” është konventa që shërben për të kapërcyer vështirësitë ligjore dhe për të hedhur themelet për përmirësimin e shitjes ndërkombëtare të mallrave, mes shumë shteteve në mbarë botën që kanë miratuar këtë Konventë. Vendi ynë është në procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndërkohë që është palë e marrëveshjes me vendet e CEFTA-s. Vënia në zbatim e kësaj konvente do të rrisë standardet ligjore të tregtisë së mallrave mes vendeve anëtare.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›