Gjen vdekjen gjatë shtrimit të rrugës, një 34-vjeçar në Shkodër
Shkodër – Një i ri ka gjetur vdekjen gjatë shtrimit të një rruge nacionale ku ishte angazhuar me punë, informojnë burime të policisë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë rreth orës 10:50 në aksin rrugor Pukë – Fushë Arrëz, pikërisht në vendin e quajtur “Kroi i Zi”. Mësohet se gjatë riparimit të një mjeti, që përdoret për shtrimin e rrugëve (rul ngjeshës), 34-vjeçari Harim Pepaj, banues në Rubik të rrethit Mirditë, ka gjetur vdekje të menjëhershme. Në vendngjarje ka mbërritur një grup hetimor, i cili ka kryer veprimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e vdekjes. Në lidhje me ngjarjen, pak orë më vonë, në 14:30, policia ka kryer arrestimin e 56-vjeçarit Ndue Kodra, lindur në Mamurras dhe banues në Shënkoll të rrethit Lezhë. I arrestuari, akuzohet se ka shkelur rregullat e mbajtjes në punë, nga pakujdesia, të rulit ngjeshës, mjet ky i cili për pasojë ka sjellë vdekjen e menjëhershme të Harim Pepajt. I dyshuari, tani përballet me akuzën për veprën penale “shkelje të mbrojtjes në punë”.
Aksidenti në superstradë, i merr jetën një 69-vjeçari
Fushë Krujë – Një burrë në moshë të thyer ka gjetur vdekjen dje herët në mëngjes si pasojë e një aksidenti rrugor. Ngjarja ndodhi në orën 05:40 në aksin që lidh Fushë Krujën me qytetin e Laçit, tek vendi i quajtur “Kryqëzimi i Patokut”. Policia tha se një automjet tip veturë që drejtohej nga Ndrecë Menga, banor i zonës së Kurbinit, ishte duke përshkuar këtë aks rrugor kur ka aksidentuar me vdekje, 69-vjeçarin Prengë Ziu. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca policore që konfirmuan se i ndjeri kishte ndërruar jetë dhe bënë ndalimin e drejtuesit të mjetit, për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
13 Maj 2009