“Balkan Modus Nutriendi”, sofra shqiptare me shijen e “Klik Ekspo Group”
Ekspofestivali i titulluar “Balkan Modus Nutriendi” në hollet dhe mes gjelbërimit të “Rogner Europapark” me gastronominë shumëngjyrëshe i dha një shije tjetër sofrës shqiptare, tashmë të emërtuar me emrin e kompanisë organizatore më të madhe të panaireve në Shqipëri, “Klik Ekspo Group”. Asnjëherë më parë, ekspozimi i prodhimeve të sipërmarrësve nuk kishte zbarkuar kaq masiv në një ambient natyral. Koncepti i organizimit dhe arkitektura e ndërtimit të Panairit dhe Festivalit Ndërkombëtar të Gastronomisë ishte risia më e bukur e kësaj mespranvere në Tiranë, e servirur me mjeshtëri nga “Klik Ekspo Group”. Si në zbërthim të një zinxhiri “nga toka në tryezë”, protagonistë të “Balkan Modus Nutriendi” ishte fermeri shqiptar, përpunuesi dhe prodhuesi agroushqimor, distributori ekskluziv e rrjetet e gjera të retail, programe mbështetëse të sektorit, ente politikë-bërëse, suportuesi financiar, etj, e së fundmi mbërritja tek konsumatori u arrit përmes lumenjve të shijes në Festivalin Gastronomik. Vetë Arti Gastronomik u vu në dispozicion të shpalosjes së sektorit agroushqimore, duke i përcjellë arritjet në një mënyrë krejt të veçantë dhe aspak të ngurtë siç vetëm aftësia e “Klik Ekspo Group” dhe partnerëve të tij mund të përcjellë. Siç edhe ishte parashikuar, kultivimi i shijes së produktit “Shqipëri” në përballje me atë të 15 vendeve, si rrallëherë, u shpalos në aromën dhe freskinë që solli hapësira e gjelbër e ambienteve të “Hotel Rogner Europapark” përgjatë 4 ditëve. Çelja e Festivalit Ndërkombëtar të Gastronomisë ishte një festë si për ekspozuesit ashtu dhe për të ftuarit e shumtë. Hyrja ishte e lirë për çdo vizitor që dëshironte të shijonte verërat e prodhuara nga kantinat shqiptare ose gatimet e kuzhinës shqiptare, por edhe greke, turke, polake, kineze, italiane, izraelite, etj. Risia e pakundërshtueshme, publiku mund të ndiqte në transmetim të drejtpërdrejtë Ceremoninë e Inaugurimit të “Balkan Modus Nutriendi”. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Jemin Gjana, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës, Aleksandër Flloko, autoritete e personalitete të tjera të jetës publike dhe biznesit, si dhe të ftuar të tjerë të shumtë. Në fjalën e tij të përshëndetjes, Ministri Bujqësisë, Jemin Gjana, përgëzoi organizatorët për realizimin e këtij aktiviteti që prezanton vlerat e gastronomisë me traditën dhe veçantitë e tyre për secilin vend pjesëmarrës në këtë festival. Sipas Ministrit Gjana, “hapat që po hedh industria ushqimore shqiptare në drejtim të rritjes së investimeve për sigurinë dhe cilësinë ushqimore, tregojnë edhe një herë tjetër për standardet që synon të arrijë ky sektor drejt tregjeve rajonale dhe më gjerë”. Pastiçierët garues në Festivalin Gastronomik i ofruan atmosferës festive një surprizë të ëmbël. Anëtarët e Qendrës Shqiptare të Gastronomisë kishin përgatitur për t’u shijuar, një tortë me përmasa marramendëse, rreth 100 metër katrorë, në një përpjekje për përfshirjen në librin e lakmuar të rekordeve “Guiness”. Ndërkohë, e gjithë ceremonia u pasurua nga prezantime artistike të përgatitjeve gastronomike, të cilat ishin përgatitur dhe do të transferoheshin në ekspozitë për tu parë e vlerësuar. E konsideruar edhe si dita e ëmbëlsirave, krahas përgatitjes dhe prezantimit të tortës, vizitorët shijuan dhe ëmbëlsinë e veprave artistike prej çokollate apo karameleje.
Dita e dytë
Aktiviteti më i veçantë në ditën e dytë ishte dorëzimi nga “Shoqata Shqiptare e Vajit të Ullirit” i çmimeve fituesve të konkursit vjetor kombëtar për vajin e ullirit me mbështetjen e USAID-it, “Programit AAC–Albanian Agriculture Competitiviness”. Njëzet e dy prodhuesit më të mirë shqiptarë të vajit të ullirit konkurruan për tre kategori të vajit të ullirit ekstra i virgjër. Gjatë ceremonisë John Brannaman, Zëvendësdrejtor i Misionit të USAID-it për Shqipërinë dhe Ndoc Fasllia, Zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, i dorëzuan çmimet fituesve. Komisioni vlerësoi me çmimin e parë kompaninë “Shkalla”. “Për të katërtin vit me radhë, Shqipëria po nderon prodhuesit më të mirë të vajit të ullirit,” tha zëvendësdrejtori i Misionit të USAID-it, John Brannaman. Me mbështetje nga USAID-it, disa agrobiznese shqiptare lançuan një markë të re kombëtare për të promovuar produktet ushqimore dhe bujqësore të cilësisë së lartë. Marka “Shija Shqiptare” u lançua në kuadrin e manifestimit “Balkan Modus Nutriendi”. “Produktet ushqimore dhe bujqësore shqiptare kanë nevojë për më shumë njohje të origjinës në mënyrë që të kenë avantazhe konkurruese dhe të diferencohen në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare”, tha zëvendësdrejtori i Misionit të USAID-it, John Brannaman. Përmes kësaj marke të re, USAID-i i pajis prodhuesit e cilësisë së lartë me një mjet të nevojshëm për të kapur tregje të sofistikuara dhe të veçanta. Ndërsa, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Ndoc Fasllia, mes të tjerash tha se, “jam i kënaqur që mund të përshëndes sot disa nga prodhuesit më të mirë të vajit të ullirit në Shqipëri. Ndërsa përpiqemi të çojmë përpara konkurrueshmërinë e vendit tonë në tregjet bujqësore, ne gjithmonë e më shumë e kuptojmë rëndësinë e sektorit të vajit të ullirit. Prodhuesit shqiptarë të vajit të ullirit kanë bërë përparime të dukshme në vitet e fundit.
Gjatë kësaj dite u zhvillua “Ιnternational Live Shoë Gostija”. U formuan grupe me shefa nga shtetet ballkanike. Çdo grup prezantoi dekorin karakteristik të vendit të tij, kostume popullore, sfond folklorik muzikor. Kjo kategori është jashtë konkursit dhe të gjithë pjesëmarrësve u dhanë diploma pjesëmarrjeje dhe kupa. Nga kuzhina shqiptare u vlerësua me çmim të veçantë Julian Ciku, i cili prezantohej si Shef i pavarur. Krahas këtij eventi, u zhvillua edhe konkursi i përgatitjes së një menuje të plotë feste. Në këtë kategori morën pjesë si sipërmarrjet ashtu dhe shkollat. Konkurruesit përgatitën një menu të veçantë gatuan lirisht sipas idesë së tyre.
Dita e tretë
Në ditën e tretë, “Klik Ekspo Group” organizoi Festivalin e Verërave, ku u akorduan Certifikatat e pjesëmarrjes dhe Medaljet për Kantinat Shqiptare, kuruar nga një staf profesionistësh enologë dhe sommelierë, të cilët përmes degustimeve profesionale përzgjodhën verërat më të mira. Morën pjesë në këtë konkurrim 10 kantina nga Shqipëria, Kosova, Italia, Maqedonia dhe Shqipëria. Në fjalën e përshëndetjes, Presidenti i Jurisë Gazmend Shehi tha se, “u testuan gjithsej 10 verëra. Nga këto 2 verëra të bardha dhe 8 të kuqe. Testimi është bazuar në standardin e shijimit të BE-së, me një skedë standarde prej 100 pikësh. Të gjithë verërat që morën pjesë në konkurrim rezultuan të një cilësie të lartë, kjo tregon se të gjithë prodhuesit kanë zbatuar teknologji bashkëkohore, duke ruajtur vlerat cilësore në varësi të varietetit të rrushit. Ky panair dhe verërat e shijuara tregojnë se jemi në rrugë të mbarë për rritjen dhe përsosjen e cilësisë dhe sigurisë së verërave me cilësi të lartë sipas standardeve të BE-së. Juria kryesohej nga Gazmend Shehi, me anëtarë Ndricime Subashi, Ing. Veronika Kodra, Prof. Enver Isufi dhe Ing. Fejzulla Berisha. Me çmimin e pare, për prodhimin më të mirë të verës, u nderua vera “Stone Castle”, Rahovec. Produktet e “Stone Castle” janë në tregun rajonal që prej vitit 1953. Kantina e verës “Stone Castle” në Rahovec është ndërtuar në vitin 1953, dhe që nga fillimi ka qenë pjesë e tregut ndërkombëtar të verës. Posedojnë rreth 2240 hektarë tokë, pjesa më e madhe e të cilave janë vreshta. Ndërmarrja punëson një numër të madh punonjësish. Në ditën e tretë, “Ιnternational Live Shoë Gostija” u prezantua nga kuzhina italiane dhe austriake me grupet e Chef-ve përkatës, që konsiderohej dhe më e veçanta, por që respektoi kriteret e prezantimit nga homologët e tyre në ditët paraardhëse. Për kuzhinën austriake u vlerësuan me medalje ari grupi i prezantimit të hotel “Rogner Europapark” me Chef Indrit Katroshi e Rajmond Çomani, të kryesuar nga drejtorët Florian Ilse dhe Dagmar Gietman. Ndërsa për kuzhinën italiane u vlerësua me çmim “Vila Logoreci” me Chef Francesco Bosso.
13 Maj 2009