Arrestohet 57-vjeçarja, ishte dënuar me dy vjet burg për hashashin
GJIROKASTËR – Një 57-vjeçare ishte dënuar tri javë më parë nga gjykata për kultivim të lëndëve narkotike, por vetëm pasditen e së hënës është prangosur. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 16:00, nga ana e Seksionit të Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë ndalimi i shtetases Arzime Ruko, lindur në fshatin Stërmbec të rrethit Përmet dhe banuese në fshatin Humelic të rrethit Gjirokastër. Ndalimi i saj u bë sepse prokuroria ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, ku kjo shtetase është dënuar me 2 vjet burg për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”. Në pronën e 57-vjeçares policia gjeti të mbjellë në një parcelë, rreth 40 rrënjë bimë narkotike, të cilat i janë sekuestruar nga ana e Policisë.
Lufta për trafiqet, ekzekutohen me 30 plumba 2 shqiptarë
ITALI - Dy emigrantë shqiptarë janë ekzekutuar për vdekje në Kaserta të Italisë. Emigrantët Ziber Dani, 40 vjeç dhe Artur Kazani, 36 vjeç, ky i fundit me precedentë penalë për pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike, janë qëlluar për vdekje me armë mbrëmjen e së hënës përpara një lokali. Policia dyshon se bëhet fjalë për një hakmarrje e cila ka të bëjë me territorin e trafikut të drogës në zonën e Kazertës. Pikërisht kjo zonë kontrollohej nga emigrantët afrikanë, por edhe nga një fraksion i klanit kamorrist “kasalezi”. Sipas policisë italiane, ndaj 2 emigrantëve shqiptarë kanë qëlluar të paktën 5 persona, të cilët ishin të maskuar. Në drejtim të Ziber Danit dhe Artur Kazanit, të cilët kanë qenë të ulur në një tavolinë jashtë lokalit, janë qëlluar nga të paktën 30 plumba pistolete. Njëri nga dy shqiptarët nuk ka mundur të largohej nga plumbat dhe është gjetur nga karabinierët në karrige, ndërsa shqiptari tjetër ka arritur të largohet, por rreth 100 metra larg lokalit është kapur nga vrasësit dhe është qëlluar për vdekje.
Arrestohet, rrahu nënën dhe kundërshtoi punonjësit e policisë
GJIROKASTËR – Një 31-vjeçar ka keqtrajtuar nënën e tij dhe më pas ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesës së policisë, madje, duke kërcënuar edhe inspektorin e policisë, por më pas është vënë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës, “rreth orës 23.30, nga ana e Specialistëve të Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Elidjan Muhamet Murtaj, lindur dhe banues në fshatin Mashkullorë”. Sipas tyre, ky shtetas, dy ditë më parë, rreth orës 21.00, është shoqëruar në mjediset e komisariatit të policisë së qytetit jugor për një konflikt familjar, pasi ai keqtrajtonte nënën e vet. Ajo e kishte denoncuar disa herë të birin, por ky shtetas nuk paraqitej në bazë të fletëthirrjes së bërë nga ana e policisë. “Gjatë marrjes në pyetje nga ana e inspektorit të policisë së zonës, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë Inspektorin e Policisë së Zonës dhe e ka kërcënuar për jetën”, - bën të ditur zëdhënësi i Policisë së Qarkut, Gentian Mullai. Ai shton se materialet i kanë kaluar prokurorisë, pasi Elidjan Murtaj akuzohet për veprën penale të “kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë“ dhe të “kanosjes për shkak të detyrës”.
6 Gusht 2008