E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pret qafën me thikë 72-vjeçarja, dyshime për vetëvrasje



SHKODËR – Një e moshuar ka mbërritur në spital me qafën e prerë me thikë dhe pas disa orësh ka gjetur vdekjen. Dyshimet e para janë hedhur për një vetëvrasje, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ka gjetur vdekjen shtetasja Dava Mbrozi, lindur në fshatin Kçirë të Pukës dhe banuese në Laç të Vaut të Dejës. Viktima, në gjendje të rëndë shëndetësore, është dërguar me urgjencë në spital nga të afërmit e saj, por ajo nuk ka arritur të mbijetojë. Nga hetimet e para dyshohet se 72-vjeçarja i ka dhënë fund jetës duke prerë qafën e saj me thikë. Por ende nuk përjashtohen pista të tjera.
Ngjarja
Burimet policore shprehen se Dava Mbrozi është gjetur në gjendje të rëndë në banjën e shtëpisë nga pjesëtarët e familjes Mbrozi. Sipas dëshmive të dhëna nga vetë familjarët, ajo kishte përdorur një thikë për t’i dhënë fund jetës. Por, gjatë tentativës, e moshuara nuk ka arritur që t’i japë fund jetës në moment. Nga të dhënat policore, Dava Mbrozi ndodhej e vetme në shtëpi kur e ka ndërmarrë aktin fatal. Por, kur kanë hyrë brenda në shtëpi, familjarët e kanë gjetur në një gjendje të rëndë më të moshuarën e familjes, së cilës thuhej se i kishte vdekur bashkëshorti disa vite më parë.
Pasi është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, në gjendje kome, 72-vjeçarja nuk ka mundur të sfidojë plagët e marra.
Dyshimet
Menjëherë pas marrjes së lajmit policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen nëse ky rast është vetëvrasje, apo vrasje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se po hetohet për këtë rast, për të përcaktuar nëse vdekja ka ardhur si pasojë e ndonjë sulmi ndaj 72-vjeçares, apo ajo është vetëvrarë. “Ende nuk dihet se çfarë mund t’i ketë ndodhur të moshuarës, që u gjet përtokë nga nusja e të birit”, - thanë burimet e policisë. Sipas hetimeve të para, gruaja ka pasur një shenjë në pjesën e qafës dhe ka qenë me njolla gjaku. “Trupi do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes”, - thanë burime nga spitali. Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje familjarët e saj për të marrë detaje rreth ngjarjes.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›