Prangosen tre të dyshuar për vjedhjen e bankës në autostradë
TIRANË - Pas kërkimeve dhe hetimeve të shumta policia ka mundur të vendosë në pranga tre persona të dyshuar si autorë të grabitjes së filialit bankës pranë autostradës Tiranë-Durrës. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë, të cilët kanë thënë se hetimet dhe të dhënat e policisë kanë çuar në identifikimin e tre autorëve, që tashmë ndodhen nën prangat e uniformave blu. Ende nuk janë bërë publike emrat e tre personave të arrestuar për arsye hetimi. Filiali i Bankës pranë autostradës Tiranë-Durrës u bë ditën e premte nga tre persona me maska dhe të armatosur. Sipas policisë, ata kanë mundur të marrin vetëm 800 mijë lekë të rinj të gjetura në sportel dhe kanë “nxituar” të ikin, për të mos rrezikuar. Sipas dëshmive të marra, grabitësit kanë neutralizuar rojën dhe kanë hyrë brenda bankës. Më pas, nën kërcënimin e armës, ata e kanë detyruar arkëtaren të zbrazë arkën. Me paratë e futura në një qese plastmasi autorët janë larguar, ndërsa mendohet se jashtë i priste ndonjë automjet, që ka kryer lëvizjen e shpejtë të tyre. Policia e sinjalizuar nga butoni i alarmit të bankës është vënë menjëherë në lëvizje, por duket se grabitësit kishin llogaritur kohën që u duhej uniformave blu për të arritur në vendngjarje dhe kanë mundur të largohen.
6 Gusht 2008