Nga e hëna nuk do të ketë më radhë për certifikata
Laureta Rryçi
Të hënën që vjen në Zyrat e Gjendjes Civile të Tiranës do të nisë shpërndarja e certifikatave për qytetarët në formën e printuar (elektronike). Kjo u bë e ditur dje nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, gjatë një takimi që pati në mjediset e Ministrisë së Brendshme me kryetarët e njësive bashkiake të Tiranës. Poni i'u komunikoi gjatë mbledhjes së djeshme detyrat e fundit para aplikimit të shërbimit për dhënien e certifikatave të printuara. Zëvendësministri, pasi falënderoi krerët e njësive bashkiake për bashkëpunimin e deritanishëm, e cilësoi këtë moment mjaft të rëndësishëm pas etapave të tjera të përfunduara për përgatitjen e Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile, hedhjen e të dhënave dhe certifikimin e tyre.
Certifikatat
"Shpërndarja e certifikatave në formë të printuar, do të shkurtojë kohën e shërbimit për qytetarët e po kështu do të ketë sigurinë maksimale, pasi të dhënat do të merren nga database elektronik, tashmë të pastruara nga dublikimet dhe të certifikuara", tha Poni. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të ketë mekanizma të duhur të teknologjisë së informacionit për të mos lejuar në asnjë mënyrë gabime apo edhe keqpërdorime të mundshme në shërbimin e dhënies së certifikatave në formë të printuar. Në takim ishte i pranishëm edhe Frank Nahn, shef i projektit të BE- OSBE, që së bashku me Statistic Norëay, asiston dhe mbështet projektin e Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile.
Procedura
Puna për përgatitjen e sistemit të zyrave të gjendjes civile në Tiranë dhe transmetimin e të dhënave për këtë shërbim do të kryhet gjatë kësaj fundjave, si dhe ditën e hënë kur këto zyra nuk do të jenë të hapura për shërbim ndaj qytetarëve. Ndërkohë gjatë kësaj jave do të kryhet edhe trajnimi i punonjësve të zyrave të gjendjes civile për zbatimin e këtij shërbimi. Falë këtij mekanizmi, qytetarët do ta kenë më të lehtë për të marrë certifikatën në kohën e duhur.
6 Gusht 2008