E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret shkaktojnë dëme të mëdha, vetëm një i arrestuar



Kanë vazhduar edhe gjatë 24 orëve të fundit zjarret në disa rrethe të vendit, por vetëm një i mitur është ndaluar, pasi akuzohet se i ka vënë flakën një masivi me ullishte në rrethin e Fierit. Gjatë dy ditëve janë regjistruar disa vatra, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në plantacionet me pemë të fermerëve. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur se autori i zjarrvënies në Levan është një 14-vjeçar nga Patosi. “Autor i zjarrit është fëmija me inicialet O. H., por do të hetohet në gjendje të lirë për shkak të gjendjes shëndetësore dhe moshës”, - thanë burimet policore.
Policia ka njoftuar se fëmija vuan nga epilepsia dhe në këto kushte nuk është ndaluar, por vetëm shoqëruar në komisariat.
Gjatë 24 orëve të fundit flakët kanë shkrumbuar së paku 10 hektarë me ullinj. Banorët kanë njoftuar policinë e cila ka mbërritur së bashku me mjetet e zjarrfikëses. Por forca e madhe e flakët, duket se po e bën të pamundur punën e zjarrfikësve. Nga ana e saj, policia rrugore ka bllokuar qarkullimin e automjeteve, pasi ullishta ndodhet në buzë të rrugës nacionale Fier-Vlorë. Trafikua është i rënduar, pasi në këtë kohë ka shumë mjete që lëvizin në këtë rrugë. Ndërsa në Korçë djegia e fushave pas korrjes së grurit po kërcënon seriozisht zonat e banuara. Për shkak të vënies së zjarrit në një fushë në afërsi të fshatit Çiflik dy kilometra larg Korçës, flakët kanë dalë nga kontrolli.
Ndërsa në lidhje me zjarrin e rënë dy ditë më parë në afërsi të Burgut të Kosovës në Lushnjë, ende nuk ka asnjë të ndaluar. Policia dhe forca të zjarrfikëses vijojnë të jenë ende në vendin e ngjarjes, ndërkohë që burime nga zona bëjnë me dije se flakët vazhdojnë të djegin hapësira me shkurre. “Nuk dihet ende nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm, apo aksidental. Një grup hetimor ka nisur punën për të zbardhur ngjarjen dhe po heton për autorët që për pak shkaktuan katastrofë”, - thonë burimet policore.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›