E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshkruhet kontrata për fillimin e punimeve në aksin “Levan-Tepelenë”



Është nënshkruar dje kontrata për fillimin e punimeve për ndërtimin e aksit rrugor “Levan-Tepelenë”. Ky segment rrugor është pjesë e Korridorit Veri-Jug që shtrihet nga Hani i Hotit në kufirin shqiptaro-malazez në Veri, deri në Kakavijë në kufirin shqiptaro-grek në Jug të vendit. Projekti financohet nga BEI dhe BERZH-i, me vlerë rreth 70 milionë euro. Në ceremoninë zyrtare që u zhvillua dje ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Seksioni Levan-Tepelenë paraqet një rrugë me gjatësi 70 km e projektuar me dy kalime, sipas standardeve europiane të rrugëve nacionale. Gjerësia e asfaltuar e rrugës (karexhata) do të jetë 10.5 m (2 korsi me 3.75 m dhe 2 bankina me 1.5 m). Projekti me vlerë 2 milionë euro është hartuar në vitin 2004 nga kompania franceze “Scetauroute”. Ky segment është ndarë në 2 lote: Loti i parë është Levan-Damës me gjatësi 37.5 km me vlerë 39.1 milionë euro (me TVSH). Loti i dytë Damës-Tepelenë është me gjatësi 32.5 km dhe me vlerë 28.6 milionë euro (me TVSH). Punimet në seksionin e parë Levan-Damës do të kryhen nga firma Italiane “Todino Construzioni Generali”, ndërsa për seksionin e dytë Damës-Tepelenë do të kryhen nga firma austriake “Alpine Bau Gmbh”. Punimet e ndërtimit për këtë aks do të zgjasin 30 muaj dhe do të përfshijnë ndërtimin e 50 urave, 48 veprave të vogla arti dhe volume për zërat kryesore si: 3.200.000 m3 gërmime, 2.000.000 m3 mbushje, 129.000 m3 bitum për shtresat asfaltike. Shpejtësia e parashikuar për të udhëtuar automjetet në këtë aks rrugor varion nga 80-100 km/orë. Mbikëqyrja e punimeve me financim nga Delegacioni i Komisionit Euopian me vlerën 2.6 milionë euro do të kryhet nga bashkimi i kompanive italiane “Technital&Tecnic&Stretto di Messina”. Domosdoshmëria e ndërtimit të këtij aksi rrugor erdhi nga rritja e ndjeshme e trafikut kohët e fundit. Sipas studimit të trafikut të paraqitur në Studimin Rajonal të Infrastrukturës së Transportit (SRIT) për Ballkanin paraqitur në Konferencën Europiane të Ministrave të Transportit, trafiku ekzistues në këtë aks është 3500 mjete në ditë. Vlerësimi i trafikut për aksin Fier-Tepelenë parashikohet që në vitin 2015 të arrijë në mbi 6000 mjete në ditë.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›