E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Abu Omar al Bagdadi, numri një i Al-Kaedës në Irak

Fantazma më në fund ra në rrjetën e autoriteteve. Abu Omar al Bagdadi, njeri që mendohet si lideri i Shtetit Islamik të Irakut, njëherësh edhe përfaqësuesi më i rëndësishëm i Al-Kaedës në këtë vend, tashmë është vendosur nën kushte sigurie. Qenë autoritetet e Bagdadit ato që deklaruan zyrtarisht lajmin e arrestimit të kryeterroristit të vendit. Lideri ekstremist qe bërë i gjallë pak ditë më parë përmes disa regjistrimeve audiofonike përmes të cilave shpallte nisjen e një fushate ushtarake, e pagëzuar "të Korrat e Mbara", si dhe fyente Presidentin Barak Obama duke e përkufizuar si "skllav". Thirrje që u shoqërua menjëherë nga atentate kamikaze.

Atentatet

Gjatë ditës së djeshme, ekstremistët kanë vepruar në disa qytete duke provokuar vdekjen e dhjetëra të pafajshmëve. Mes tyre, një numër i madh pelegrinësh iranianë. Vetëm gjatë ditës së djeshme u kryen dy atentate të rënda. Dy kamikazë shpërthyen sasi të konsiderueshme eksplozivi në dy sulme të veçuara në Irak, duke vrarë 28 njerëz në qendër të Bagdadit dhe 32 të tjerë në një zonë në veri të kryeqytetit. Shpërthimi në qendër u krye ndërsa një grup policësh irakianë po shpërndanin ndihma për popullsinë e shpërngulur. Sipas policisë, nga shpërthimi mbetën të paktën 50 vetë të plagosur, mes të cilëve edhe pesë fëmijë. "Është një vrasës kamikaz. Nuk ka dyshim që këtu ka të bëjë Al-Kaeda", tha zëdhënësi për sigurinë i Bagdadit, major-gjeneral Qazim Musai.

Sulmi i dytë u krye pranë qytetit Mukdidaja, 80 kilometra në veri të Bagdadit. Duket se sulmuesi kishte vënë në shënjestër një grup pelegrinësh iranianë që në atë çast gjendeshin në një restorant. Aktet e dhunës në Irak janë ulur ndjeshëm vitin e shkuar, por disa grupe rebele, siç është Al-Kaeda, vazhdojnë të kryejnë të tilla sulme herë pas here. Sulmet me vetëvrasje shpesh i atribuohen kësaj organizate. Një sulm vetëvrasës të mërkurën vrau të paktën pesë vetë dhe plagosi 15 të tjerë në ambientet e brendshme të një kishe të Irakut, ndërsa të hënën, një sulmues i veshur si polic vrau katër punonjës rendi.

Aktori

Figura e Ak Bagdadit mbetet enigmatike. Emri i tij nisi të qarkullojë pas vrasjes së Al Zarkauit, themeluesit të degës së Al-Kaedës në Irak, por askush nuk kishte parë ndonjëherë foto të tijat. Ekzistonin edhe fjalë sipas të cilave qe veç një emër, pas së cilit fshiheshin disa militantë. Lidhur me këtë tezë ekziston edhe një e dhënë që ngjallte kureshtjen e ekspertëve: terroristët kishin punësuar një aktor që të recitonte në emër të Al Bagdadit në regjistrimet video të shpërndara përmes internetit. Për autoritetet, arrestimi i liderit mund të konsiderohet një sukses i madh, por përvoja irakiane ka treguar se grupet e terroristëve janë në gjendje t‘i zëvendësojnë shumë shpejt boshllëqet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›