E Diel, 1 Nëntor 2026

Rais dhe Çenei miratuan torturat

Një raport i shërbimeve të fshehta ka nxjerrë në pah se kanë qenë zyrtarët më të lartë të administratës "Bush" ata që kanë miratuar përdorjen e torturave gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm. Sipas dokumentit në fjalë, Dik Çenei dhe Kondolesa Rais kanë qenë dy prej autoriteteve më të larta të përfshira në skandal. Në korrikun e vitit 2002, këshilltarja për sigurinë kombëtare, Kondolesa Rais, e cila më pas u bë sekretare Shteti, ka thënë se CIA mund të procedonte me "metoda alternative marrjesh në pyetje", përfshi edhe ato me ujë, në çastin e interrogimit të Abu Zubajdahut, i dyshuar si lider i rëndësishëm në radhët e Al-Kaedës.

Vendimi qe marrë në kuadrin e një dokumenti të Departamentit të Drejtësisë për përcaktimin e ligjshmërisë së metodave. Një javë më pas, Prokurori i Përgjithshëm, Xhon Ashkroft, kishte vlerësuar se "teknikat e propozuara për marrjen në pyetje qenë brenda kufijve ligjorë", vazhdohet më tej në raport. Të njëjtat teknika u përdorën gjithashtu edhe në marrjen në pyetje të Abd al-Rahim al-Nashirit, i dënuar për një sulm në Jemen ku gjetën vdekjen 17 marinarë amerikanë dhe Khalid Sheik Muhamedi, i dyshuar si mendja që ideoi dhe vuri në jetë sulmet e 11 shtatorit 2001.

Raporti, i përgatitur nga zyra e Prokurorisë së Përgjithshme amerikane me kërkesë të një komiteti të posaçëm, hedh dritë mbi këshillat e dhëna për CIA-n mbi teknikat e interrogimit që mund të përdorte. Teknikat u miratuan përsëri nga zyrtarë të larët të administratës "Bush" në verën e vitit 2003, kur CIA kërkoi "rikonfirmimin e politikave dhe praktikave në programin e interrogimit".

Nga ajo që shkruhet në raport, mësohet se në një takim ku përfshiheshin zëvendëspresidenti Dik Çenei, drejtori i CIA-s Xhorxh Tenet, Eshkraft, Rais dhe konsulentët e tyre ligjorë, "zyrtarët e lartë rikonfirmuan se programet e CIA-s qenë brenda kufijve ligjorë dhe reflektonin politikat e administratës amerikane".

Presidenti Obama e ka cilësuar torturë teknikën e njohur si "waterboarding" (praktikë gjatë së cilës i marri në pyetje çohet deri në prag mbytjeje në ujë) dhe javës së shkuar publikoi një sesi memorandumesh të administratës "Bush" mbi teknikat e interrogimit. Një memorandum tjetër tregon se agjentët e CIA-s e kanë përdorur të paktën 266 herë teknikën e torturës me ujë mbi Zubajdahun dhe Muhamedin. Në një intervistë të dhënë në vitin 2008 për rrjetin amerikan ABC, Çenei e mbrojti praktikumin e kësaj torture, e cila dënohet nga administrata "Obama". "Nëse dha rezultatet e dëshiruara? Besoj se po", tha Çenei në intervistë. "Khalid Sheik Muhamed na dha informacione shumë të vlefshme. Në atë kohë, katër vite më parë, çdo gjë që dinim për Al-Kaedën, vinte falë atij burimi të vetëm. Kështu që ia vlejti. Besoj se rezultatet flasin vetë".

Më pas Çenei ka vërejtur se disa njerëz qenë më të interesuar në leximin e të drejtave të terroristëve se mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një frazë që i drejtohej me ironi administratës së re. Ish-zëvendëspresidenti amerikan e quajti publikimin e dokumenteve sekrete të epokës së Bushit "shqetësuese" dhe shtoi se administrata e re po lë në hije memorandumet e tjera që tregojnë se si marrja në pyetje e terroristëve shmangu sulme të tjera terrori në SHBA. "Ata nuk bëjnë publike memorandumet e tjera që tregojnë suksesin e përpjekjeve tona dhe ka raporte që tregojnë në mënyrë të specifikuar përfitimet tona falë atij aktiviteti", tha Çenei të hënën në rrjetin "Fox News". "Ato memorandume nuk janë deklasifikuar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›