E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montanelli, ky dashnor i suksesshëm!

Sandro Gerbi, një nga biografët më të spikatur të gazetarit italian, Indro Montanelli, gjendet në Tiranë me rastin e Ditës Botërore të Librit. Dje, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u organizua aktiviteti "100 vjet Indro Montanelli". Gerbi, i cili ishte njëkohësisht i ftuari i nderit në veprimtarinë në fjalë, solli detaje nga jeta e Indro Montanellit, më shumë akoma nga ajo periudhë të cilën e kaloi në Shqipëri. Por ajo që të bën përshtypje e që në të vërtetë nuk është folur shumë as në mediat italiane është jeta private e tij. Gerbi rrëfen se Montanelli ka qenë një njeri që ka dashuruar shumë. Është martuar vetëm dy herë, e megjithatë tek ai kanë funksionuar edhe lidhjet paralele. Thotë se nga dashuria me një grua islandeze, ka lindur edhe djali i tij, të cilën ai kurrë nuk e pranoi. Gerbi rrëfen ndër të tjera edhe një tjetër fakt interesant që lidhet gjithashtu me jetën private të Montanellit. Ai thotë se libri "Shqipëria një dhe njëmijë", i kushtohet një gruaje të quajtur Norma. Sipas Gerbit, ndoshta bëhet fjalë për një flirt të gazetarit. Por a ishte Norma një vajzë shqiptare? Kjo mbetet ende për t‘u vërtetuar.

Z.Gerbi, a ka një libër të dytë mbi Shqipërinë shkruar prej Indro Montanellit përveç "Shqipëria një dhe njëmijë" që është tashmë i njohur për lexuesin shqiptar?

Libri që ka dalë mbi Shqipërinë dhe që titullohet "Shqipëria një dhe njëmijë" është botuar në Torino në vitin 1939. Ai thotë se e ka përfunduar së shkruari në fund të muajit maj ndërsa libri është stampuar në muajin gusht. Ky libër mes të tjerash i është kushtuar një të panjohure të quajtur Norma Mayer. Unë mendoj se ndoshta një flirt i epokës. Unë di se thuajse të gjitha biografitë e Montanellit sinjalizojnë një libër inekzistent të titulluar "Shqipëria e re dhe e vjetër". Ai nuk gjendet në asnjë katalog të asnjë biblioteke. Atëherë unë mendoj se gabimi i përmendjes së këtij libri ndoshta ka ardhur për shkak se në revistën "Antologjia" në muajin prill po të vitit 1939 ka dalë një shkrim fillestar që nuk pati më vazhdim e që quhej pikërisht "Shqipëria e re dhe e vjetër". Ky titull ekziston, por është titulli i një shkrimi reviste. Pastaj gjithnjë sa u përket temave mbi Shqipërinë ai ka shkruar artikuj e tema të ndryshme që unë i kam cituar në vëllimin e parë të biografisë, të cilat i kushtohen pikërisht Shqipërisë dhe që mund të vendosen në një antologji të veçantë ose madje mund edhe të bëhet një libër me gjithçka që Indro Montanelli ka shkruar për Shqipërinë.

Sipas të dhënave tuaja, si ka qenë edhe më pas lidhja e Montanellit me Shqipërinë?

Montanelli nuk ka folur më për Shqipërinë dhe mendoj se nuk është kthyer më në vendin tuaj, por kam përshtypjen se këtu ka përjetuar një eksperiencë shumë të fortë. Eksperienca e tij e parë ka nisur mes viteve ‘38-‘39 edhe pse ka bërë një gabim: ai u largua nga Shqipëria në fund të muajit mars të vitit 1939, në një kohë që Italia e pushtoi Shqipërinë në prill të vitit 1939. Drejtori i gazetës i kishte kërkuar që të qëndronte akoma në Shqipëri, sepse ndoshta mund edhe të ndodhte diçka, por Montanelli nuk iu bind dhe kështu humbi një ngjarje të rëndësishme të historisë, për të cilën ai vetë mund të shkruante.

Cila ishte në të vërtetë arsyeja e ardhjes së Montanellit në Shqipëri?

Arsyeja se përse erdhi në Shqipëri, ishte sepse këtu gjendej babai i tij, i cili merrej me organizimin e sistemit shkollor shqiptar në vitet ‘38-‘39. Ai ishte një drejtor shkolle që më pas u bë funksionar në ministri. Babai i Montanelli-t ka punuar shumë edhe në realizimin e një guide shumë interesante, e cila u publikua në vitet ‘40 nga shoqata turistike italiane. Kjo ishte një arsye. Pastaj një tjetër arsye për të cilën ai erdhi është sepse duhej të ndiqte luftën kundër Greqisë. Ai rrëfeu shumë episode nga kjo luftë shpeshherë edhe të rrezikshme. I ka qëlluar të jetë në mes të një sheshi në krisma armësh. Pastaj u kthye sërish në Shqipëri në vitin 1942 kur iu kërkua të bënte disa artikuj të ndryshëm, por edhe shumë propangadistikë. Puna e tij ishte që të bënte të mundur nëpërmjet artikujve se Italia i garantonte Shqipërisë autonomi të plotë, por në të vërtetë fashizmi ishte një kontroll i ashpër dhe Shqipëria ishte një vend i nënshtruar.

Këto janë disa arsye, por fakti që për shumë të huaj Shqipëria cilësohej si një vend ekzotik dhe që vizitohej në kuadrin e një aventure, ka qenë një prej arsyeve të ardhjes së Montanellit në Shqipëri?

Ekzaktësisht, kjo është e vërtetë. Kjo është një arsye të cilën unë edhe e kam cituar në libër. Ai thotë: "dua të shkoj në Shqipëri, sepse aty sipas meje ka elemente shumë interesante për të shkruar". Drejtori i tij që quhej Aldo Morelli i përgjigjet: "Shqipëria mund të jetë një minierë legjendash dhe historish të gjalla, moderne dhe të freskëta që mund të të ofrojnë spunto për artikuj vërtet interesantë e direkt, por mos u përfshi në politikë". Kjo është edhe faza e parë kur ai bën edhe ato që quhen artikuj me ngjyra e gjithë varietete.

Ju përmendët se ndër të tjera ai ka shkruar edhe rreth tetë artikuj për romët e Shqipërisë, të cilët i ka publikuar në gazetën ku edhe punonte "Corriere della Sera". Këta nuk përfshihen në libër, por a ekzistojnë?

Artikujt mbi romët e Shqipërisë janë një kuriozitet i madh, sepse është një argument që nuk ishte trajtuar asnjëherë në gazetat fashiste, sepse për motive politike romët ishin dëbuar nga Italia e megjithatë, shfaqen në një gazetë shumë të rëndësishme italiane në një periudhë kur Montanelli ende nuk e ka fituar autoritetin që do të gëzonte më vonë. Ai është ende një djalosh në fillimet e krijimtarisë së tij. Prej pak muajsh kishte nisur të shkruante për "Corriere della Sera" në vitet ‘39 e kur shkruan e publikon këto artikuj ai është ende 30 vjeç. Janë artikuj të cilët nuk janë ribotuar ndonjëherë. Ato gjenden me siguri nëpër arkiva. I përkasin periudhës janar-shkurt 1939.

Është folur mjaft për Montanellin gazetar, profesionist, intelektual. Po jeta e tij private, si ishte?

Ai ishte një njeri që në jetë ka kaluar dashuri të ndryshme. Ne kemi realizuar vetëm një biografi intelektuale të tij dhe nuk kemi hyrë shumë në këtë aspekt privat. Por nga sa na rezulton ai ka qenë një burrë shumë i suksesshëm dhe kishte një jetë private që mund të konsiderohej tepër e lirë. Ai kishte bashkëshorten në Romë dhe një të dashur në Milano. Kur ishte në Romë qëndronte me bashkëshorten dhe kur ishte në Milano me të dashurën. Me sa duket bashkëshortes nuk i interesonte shumë ai dhe ndoshta nuk kishte më pretendime sa i përket jetës në çift e ndaj edhe nuk thoshte asgjë. Pastaj Montanelli ka kaluar shumë dashuri. Bashkëshortja për të cilën ju fola më sipër quhej Colette Roselli, shkrimtare, por para saj në vitet ‘39-‘40 ka qenë i martuar me një austriake me të cilën u divorcua menjëherë pas luftës. Ka pasur edhe një djalë nga një dashuri islandeze të cilin asnjëherë nuk pati dëshirë ta njihte. Megjithatë, Montanelli ishte një njeri që i donte të rinjtë, fliste shpesh me ta, e ndoshta ka bërë këtë jetë sepse kishte frikë të merrte përgjegjësinë për të pasur një familje me fëmijë. Si burrë duket se ka pasur aftësi të dashurojë shumë edhe shpesh në jetë dhe në këtë aspekt ai ka bërë një jetë disi të lëvizshme.

A ka ende ndonjë aspekt të pazbuluar të jetës së tij?

Është shkruar kaq shumë mbi Montanellin sa duket sikur pjesa më e madhe e aspekteve më të rëndësishme në jetën e tij janë shkruar tashmë. Megjithatë, unë jam në dijeni se në Rieti, një studente ka mbrojtur një tezë diplome, e cila i është kushtuar Montanellit fëmijë. Mendoj se kjo temë do të meritonte një libër për të vetmen arsye se duhet të njohim edhe si ka qenë Montanelli fëmijë për ta krahasuar me burrin që do të bëhej më pas. Pastaj shumë gjëra nuk do të tregohen kurrë, sepse ne që studiojmë histori të gazetarisë më shumë shikojmë rezultatin final. Ne nuk e dimë në ka pasur ndonjë urdhër censurë apo nëse dikush ka sugjeruar diçka. Megjithatë gjëra misterioze ka, e do të zbulohen edhe pse pjesa më e madhe e tyre ka dalë në dritë.

Përse Montanelli vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes dhe të diskutohet ende për të?

Unë kam listuar një seri arsyesh: për guston e tij, për bukurinë e të shkruarit, për polemikën për jetëgjatësinë e artikujve, por edhe për sasinë e atyre që ka shkruar, por mbi të gjitha, sepse ishte një gazetar, të cilit i pëlqente polemika ndaj edhe shumë herë sot ka njerëz që përdorin fjalë që ai ka shkruar apo i ka thënë dhe i tundin si flamuj. Por edhe për pak kohë do të jetë kështu, më vonë do të kthehen në një objekt historie e kaq. Sot për sot vazhdojnë të jenë ende objekt politik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›