Arrestohet Biba në Itali, dyshohet për 3 vrasje
29/05/2005 ITALI- Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana në vazhdën e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Interpol Roma, është njoftuar sot për kapjen në Itali të një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim. Sipas informacioneve, mësohet se me qëllim ekstradimi është bërë e mundur kapja e shtetasit Pashk Lleshi (Biba), 31 vjeç. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi, tha dje se shtetasi Pashk Lleshi (Biba), i njohur gjithashtu dhe me një mbiemër të tretë (Ndoj) është shpallur në kërkim policor, pasi më datë 02.05.2003, në fshatin Tale të Lezhës, në bashkëpunim me të tjerë persona, dyshohet se është autor i vrasjes së shtetasit Prekë Bici. Sipas zëdhënëses së Policisë së Shtetit, menjëherë pas marrjes së informacionit nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bazë të Konventës Evropiane mbi ekstradimin, ka filluar puna për të mundësuar ekstradimin e tij për në Shqipëri, me qëllim vuajtjen e dënimit. Sakaq, mësohet nga burime jozyrtare se Biba dyshohet si autor i vrasjes së çiftit Nikolin e Vitore Curri. Ndërkohë që në Itali, Pashk Biba dyshohet edhe për shfrytëzim prostitucioni. Pasi të hetohet për llogari të autoriteteve italiane, Pashk Biba pritet të ekstradohet më pas në Shqipëri.