Plagosi me thikë, ndiqet në gjendje të lirë
29/05/2005 TIRANË- Punonjësit e Kriminalistikës së Komisariatit numër 3 kapin një të kërkuar për plagosje, e më pas Prokuroria vendos që ai të ndiqet në gjendje të lirë. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, thanë dje se nga punonjësit e Komisariatit nr.3 u kap shtetasi në kërkim Mustafa Shilani, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ky shtetas, sipas burimeve zyrtare, në bulevardin “Zogu i Parë”, më datë 13.01.2005, në bashkëpunim me shtetasin Denis Shahini, kanë plagosur me thikë shtetasin Aurel Murati. Pas vendimit të Prokurorisë, Shilani është lënë të hetohet në gjendje të lirë. Ndërkaq, mësohet se plagosja me thikë ka ndodhur pas një sherri të momentit mes dy të rinjve dhe viktimës. Shilani dhe Shahini, pasi e kanë plagosur me thikë Muratin, janë larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u strehuar te miqtë e tyre në kryeqytet. Kërkimet e specialistëve të kriminalistikës kanë rezultuar të suksesshme, pasi ata kishin disa të dhëna paraprake rreth vendndodhjes së tyre. Nga ana tjetër, Murati u dërgua menjëherë në një qendër spitalore dhe pas kurimit intensiv, gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm. Tashmë ai ndodhet në banesën e tij, ndërsa personi që e plagosi ndiqet në gjendje të lirë.