E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjendet një predhë gjigande në Tiranë

29/05/2005  Punëtorët e gjejnë atë në themelet e një pallati në ndërtim në Breg të Lumit

TIRANË- Punëtorët e ndërtimit në një pallat të ri, në Breg të Lumit në kryeqytet, gjejnë një predhë të Luftës së Dytë Botërore, me përmasa gjigande. Të lajmëruar në rrugë telefonike, në vendngjarje mbërritën menjëherë ekspertë të Komisariatit numër 3, e më pas specialistët e Antiterrorit në Komisariatin numër 3 ua lanë në dorëzim municionin kolegëve të Briskut. Predha, sipas burimeve policore, është dërguar më pas në Repartin e Briskut, ku efektivët e këtij reparti në bashkëpunim me ekspertë të ushtrisë, po mundohen ta ç’montojnë me qëllim uljen e rrezikshmërisë. Mësohet nga burimet policore se predha është e përmasave të mëdha dhe mund të peshojë më tepër se 100 kilogramë. Aktualisht, policia nuk ka asnjë pistë paraprake, por e vetmja tezë ku janë mbështetur ekspertët, është ajo se kjo predhë ka mbetur aty që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjithashtu bëhet e ditur se, tashmë ajo nuk përbën ndonjë rrezik të madh, për shkak se ç’montimi i saj do të kryhet në një kohë tepër të shkurtër.

Gjetja

Sipas burimeve të policië, predha është gjetur rreth orës 10.00 të ditës së djeshme, pranë themeleve të një pallati që po ndërtohej. Askush nga punëtorët nuk e preku me dorë dhe u lajmëruan menjëherë forcat policore. Në fakt, burimet policore thanë se, nëse eskavatori që ndodhej pranë themeleve të pallatit do të kishte prekur pjesën e përparme të predhës, do të kishte provokuar një shpërthim të predhës. Sistemimi në magazinat Repartit të Briskut e ka bërë më të ulët tashmë shkallën e rrezikshmërisë.

Rastet

Banorët e lagjes "Skënderbej" në qytetin e Shkodrës zbuluan në shkallët e një pallati një bombë me telekomandë. Ndërsa municioni është larguar menjëherë nga zona e banuar, policia nuk konfirmon gjetjen e tij. Në fillim askush nga banorët e pallatit të rrezikut nuk ka menduar se pakoja e mbështjellë dhe e lëshuar pa kujdes në hyrjen e ndërtesës, ishte lëndë eksplozive. Aq më pak tejet e rrezikshme. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se ndërtesa në fjalë gjendet në lagjen "Skënderbej", pak metra larg stacionit të trenit. Ndërsa në sheshin "Skënderbej" në Tiranë, rreth një vit më parë, u gjet një predhë e përmasave më të vogla, për të cilën u mblodh një grup pune nga Ministria e Rendit. Sakaq, në fshatrat në kufi me Elbasanin, rreth 9 muaj më parë u gjetën 3 predha në një arë. Mendohet se edhe pas gjetjes së tyre, rrezikshmëria në këtë zonë është tepër e madhe. Në disa rrethe të vendit janë gjetur bomba e predha, të cilat datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›