E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakmarrja 35-vjeçare

TIRANË - Gjakmarrja është përzier keqas me rregullat e reja që nuk janë të parashikuara në asnjë kod zakonor apo kanun vendas, pa folur më për ligjet e shtetit, në një ngjarje që i ka fillesat 35 vjet më parë. Sherri midis fisit Marku dhe Sefa nuk ka reshtur, por vitet e fundit asnjëra prej familjeve nuk i ka marrë përsipër vrasjet, ashtu siç e parashikon kanuni. Në këtë mënyrë policisë i ka dalë detyra të zbardhë disa ngjarje që duken mjaft të vështira, për shkak të mungesës së provave, dëshmitarëve apo elementeve të tjera që mund të ndihmonin në zbulimin e autorëve. Policia e kryeqytetit ka vënë dje në pranga 37-vjeçarin Agim Sefa, i cili akuzohet se ka vrarë 11 vjet më parë hasmin e tij Osman Marku. Edhe pse në atë kohë Sefa u shoqërua si i dyshuari kryesor për ekzekutimin, më pas ai u la i lirë për mungesë provash. Dje, policia e Tiranës i ka komunikuar zyrtarisht akuzat e “vrasjes me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe të “armëmbajtjes pa leje” 37-vjeçarit. Rihapja e vrasjes së 26 korrikut të vitit 1997 të Osman Markut, 59 vjeç, çoi në pranga Sefën, ndërkohë që sipas burimeve zyrtare të policisë po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkaqe hetimore. Në kohën e vrasjes së Markut, gruaja e këtij të fundit ka qenë në rolin e dëshmitares okulare, e cila në atë kohë nuk ka njohur si autor 37-vjeçarin. Të kontaktuar nga gazeta, asnjë nga policia e Tiranës nuk jep sqarime, duke i cilësuar si sekrete hetimore, se çfarë detajesh të reja çuan në rihapjen e dosjes. Ndërsa vetë i akuzuari vazhdon të mohojë edhe pas 10 vitesh kategorikisht akuzat në drejtim të tij.

Vetëmbrojtja

Ashtu siç edhe pati deklaruar dhjetë vite më parë, kur u shoqërua si i dyshuar menjëherë pas ngjarjes, edhe pas riarrestimit Agim Sefa ka mohuar kategorikisht dy akuzat e ngritura ndaj tij. Burime të besueshme policore bënë të ditur se 37-vjeçari edhe pasi është njohur me dy akuzat, atë të “vrasjes me dashje, të kryer në bashkëpunim”, dhe të “armëmbajtjes pa leje”, nuk ka pranuar të jetë ai autori i vrasjes së 10 viteve më parë në Kodër Babrru. “Nuk kam të bëj fare me atë vrasje. E kam thënë edhe më parë, që nuk e kam bërë unë vrasjen”, - mësohet të ketë deklaruar i akuzuari përpara specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve ndaj Jetës. Po sipas të njëjtave burime, nuk bëhet publik fakti nëse ka qenë ndonjë ndryshim i dëshmitares okulare, që del kundër Sefës dhjetë vite më vonë, ose ndonjë gjurmë gishtërinjsh, gjaku apo fije floku në riekspertimin e vendit të ngjarjes. Por, nëse policia e kryeqytetit nëpërmjet një njoftimi për shtyp bëri të ditur se pas hetimeve të reja ka rezultuar se vrasja është bërë për motive hakmarrjeje, pa specifikuar rastin e vrasjes së parë të ndodhur mes dy fiseve, nga burime konfidenciale mësohet se konflikti është shumë i hershëm.

Konflikti Sefa-Marku

Gjithçka mësohet të ketë ndodhur para 35 vitesh në një fshat të largët të Kukësit, ku jetonin fiset Sefa dhe Marku. E nisur si mosmarrëveshje banale, gjërat degraduan, por pa arritur në vrasje. E para vrasje në ciklin e ashtuquajtur si “gjakmarrje” është ajo e Osman Markut, e pasuar dy vjet më vonë nga vrasja e vëllait të Agim Sefës, Qerim Sefës, që të dyja ngjarje të pazbardhura e pa asnjë autor të identifikuar. Përpara 35 vjetësh, kur Agim Sefa ishte vetëm 2 vjeç, mes fiseve që asokohe banonin në një fshat të Kukësit pati nisur një “luftë e ftohtë”. I ati i Sefës nuk kishte lejuar plakun Marku që të priste dru në njërin nga pyjet e fshatit, pasi konsiderohej vend i shenjtë. I revoltuar pamasë nga fyerja që i ishte bërë, i ati i Osman Markut, në shenjë hakmarrjeje pas konfliktit që nisi në mënyrë krejt banale, ka shkuar një ditë më vonë, duke qenë se shtëpitë ishin ngjitur me njëra-tjetrën, e me një thikë i ka prerë veshin Agimit, i cili ishte në djep. Mungesa e njerëzve të shtëpisë në atë moment ka bërë që i moshuari Marku të përfitonte nga rasti e të merrte hakun e tij. Ky gjest është dënuar në atë kohë nga kryeplaku dhe nga i gjithë fshati, që ta dëbonin familjen Marku nga ai vend, duke marrë shkas edhe nga konflikte të tjera me të tjera fise. Si për ironi të fatit, pas shumë vitesh dy familjet nisën të jetojnë në të njëjtin vend, në Bathore. Asnjë problem nuk kishin pasur deri në datën 26 korrik 1997, kur 59-vjeçari Osman Marku vritet në prani të gruas së tij me kallash, në Kodër Babrru. Mes të shoqëruarve bëri pjesë edhe Agim Sefa, ku pas hetimeve të policisë u zbulua konflikti i hershëm mes tyre. Por nga dëshmia e gruas së viktimës, kjo e fundit nuk e njohu Sefën si atentator të burrit të saj, kështu që ai u la lirë. Edhe pse hetimet e policisë vazhduan për një kohë të gjatë, ngjarja mbeti pa autor. Dy vite më vonë, në vitin 1999 vritet në dalje të Kamzës vëllai i Agim Sefës, 33-vjeçari Qerim Sefa. Viktima nuk kishte shumë kohë që ishte martuar dhe ditën kur u ekzekutua nga persona ende të paidentifikuar deri më sot, po kthehej nga një fejesë në Fushë-Krujë. Ai u qëllua nga dy persona me kallash, të cilët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vdekur në vend Qerimin. Tashmë policia mendon se ka gjetur provat e nevojshme për të vërtetuar fajësinë e Agim Sefës në vrasjen e Osman Markut. Nëse gjykata do t’i pranojë këto prova dhe do të dënojë 37-vjeçarin, i cili vazhdon të mohojë krimin, atëherë do të mund të quhet e mbyllur gjysma e historisë së gjakmarrjes, pasi gjysma tjetër, ajo e vrasjes së Qerim Sefës, do të jetë akoma e hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›