E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit, lum kërkesash ndaj qeverisë

Rivlerësimi i lëndëve bazë në ndërtim dhe kryesisht në atë të rrugëve, rritja e rolit dhe e përgjegjësisë së supervizionit për zbatimin e projekteve, si dhe rihartimi i projekt-kontratës për projektuesit dhe ndërtuesit janë disa nga problemet kyçë që ka ngritur dje Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë. Gjatë diskutimit ku ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, u vu theksi kryesisht në investimin e rrugëve, pasi në këtë pikë kryqëzohet pikërisht pjesa më e madhe e problematikës. Sipas të pranishmëve, gjatë viteve të ardhshme investimet në rrugë duhet të zënë vendin kryesor, derisa Shqipëria të përfundojë jo vetë arteriet kryesore brenda territorit, por edhe ato që lidhin vendin tonë me fqinjët.

Problematikat kryesore

Një nga pikat kyçe të problematikës në ndërtim e ngritur dje si kërkesë ndaj qeverisë, ka qenë edhe ajo e rishikimit dhe vlerësimit të katër materialeve kryesore në ndërtim, duke sjellë rritje të kostos për ndërtuesit. “Rritja e çmimeve lidhur me katër materialet kryesore ka pasur dhe ka një influencë shumë të madhe në rezultatet financiare të firmave që kanë nënshkruar kontrata me çmimet e vjetra për ndërtimin e rrugëve. Kjo rritje çmimesh nuk është një fenomen lokal, por është rezultat i një krize në shkallë botërore. Është rasti që brenda mundësive qeveria të bëjë një rivlerësim vetëm për naftën, hekurin dhe bitumet”, tha dje ndërtuesit. Gjithashtu, një nga pikat e ngritura me baza problematike gjatë takimit të djeshëm ka qenë edhe ajo e propozimit paraprak nga qeveria të çmimit të referencës për vitin pasardhës. Kështu, ndërtuesit u shprehën se “sipas shembullit të marrëveshjes midis SHNSH-së dhe DPT-së çdo fund viti DPR dhe SHNSH të propozojnë paraprakisht çmimet e referencës për vitin pasardhës, të cilat më pas të miratohen nga ministria”.

Aktiviteti

Lidhur me rastin e simpoziumit të “Ditës së Ndërtuesit”, shoqata e këtij grup-biznesi organizoi një takim midis përfaqësuesish zyrtarë të institucioneve përkatëse shtetërore, pjesëtarë të shoqatave të tjera, si dhe biznesmenë të sektorit të ndërtimit. Gjatë aktivitetit u tha se që nga viti 2000 ka përmirësime të dukshme edhe në ndërtimin e rrugëve, ndërkohë që duhet ende shumë punë për t’u përafruar me standardet evropiane. Ajo çka u vu në dukje lidhet edhe me investimet e mëdha të firmave kryesore në treg për makineri-pajisje dhe se ajo çka duhet bërë tani lidhet ngushtë me investimet për të përgatitur njerëz dhe stafe të afta. Pa mohuar arritjet, qëllimi i këtij simpoziumi të përvitshëm është të ngrejë problemet e mëdha që ka sjellë rritja në këtë fushë, duke propozuar masa për përmirësimin e gjithanshëm të punës së projektuesve dhe ndërtuesve, duke propozuar kështu për një përmirësim organizativ të të gjithë piramidës që merret me ndërtimet e rrugëve.

  Kërkesat e ndërtuesve: 

1- Ngritja e një qendrore studimore shkencore që do merret me prognozën, hartimin e masterplaneve, termat e referencës, oponencën e projekteve të hartuara etj.

 

2- Rritjen e rolit dhe përgjegjësisë së supervizionit për zbatimin e projektit dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha që dalin gjatë zbatimit.

 

3- Marrja e mendimit të komunitetit të ndërtimit në transformimin e DPR-së në Agjenci Kombëtare të Rrugëve.

 

4- Të rishikohen vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga Shoqata e Ndërtuesve, me qëllim përfshirjen e këtyre propozimeve në vendimet e Këshillit të Ministrave për 2009-ën.

 

5- Të rihartohet kontrata për projektuesit dhe ndërtuesit etj

  Shkrim Fond për bujqësinë “frigoriferike”

Rritja e prodhimit bujqësor dhe agroushqimor në vendin tonë po sjell gjithnjë e më shumë nevojën e ngritjes së rrjetit frigoriferik për këto prodhime, me qëllim ruajtjen dhe tregtimin e tyre në kushte optimale dhe sipas standardeve. Për këtë qëllim, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka filluar negociatat me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe me donatorë të tjerë, që zbatojnë projekte në mbështetje të sektorit të bujqësisë në vendin tonë, për ngritjen e rrjetit frigoriferik të produkteve bujqësore në zonat me potencial bujqësor. Ky komponent është konsideruar nga specialistët si një element i rëndësishëm që duhet të shoqërojë procesin e ngritjes së rrjetit të marketingut bujqësor në vendin tonë, që duhet të jenë sipas standardeve evropiane, por që deri tani funksionin në nivele minimale. Burime nga kjo ministri bënë të ditur se, në buxhetin e vitit 2009, MBUMK-u parashikon që nga fondi për subvencionimin e bujqësisë, një pjesë e këtij financimi të mbështesë fermerët që do të investojnë në ngritjen e magazinave frigoriferike bujqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›