E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërritën çelësat spiunë!

Policia ndalon 27-vjeçarin që kishte vjedhur katër banesa me metodën e re

TIRANË - Tani e tutje, kushdo që ka një shtëpi në kryeqytet, duhet të ruhet nga forma më e re e vjedhjes së shpikur nga hajdutët. As edhe një çelës magjik s’do t’u bënte punë më së miri hajdutëve, të cilët tashmë vetëm nëpërmjet një aparature krejt të thjeshtë hapin derën si me magji. Nuk kanë bërë ndonjë shpikje të madhe, e as nuk kanë vjedhur ndonjë kod sekret. Aspak! U mjafton vetëm një aparat i krijuar me një elektro-motor të vogël, dy bateri me fuqi 1.5 volt, një buton takim-stakimi dhe një fije e hollë çeliku. Me anë të fijes së çelikut, e cila futet në vendin e çelësit dhe nëpërmjet butonit të takim-stakimit vihet në lëvizje elektromotori që ushqehet nga bateria. Nëpërmjet vibrimit fija e çelikut lëviz nga pozicioni i tyre fillestar pjesët e brendshme të bravës së derës, pas së cilave formëzohet dhe çelësi, i cili është i veçantë për çdo bravë. Pas një periudhe vibrimi, fija e çelikut nxjerr thuajse jashtë përdorimit të gjitha pjesët e vogla të bravës, duke bërë të mundur që kjo bravë të hapet nga çdo çelës. Dhe sa hap e mbyll sytë, hajduti ka në dorë apartamentin tuaj me gjithë çfarë ka brenda. Por deri tani, metoda e lehtë dhe fitimprurëse ishte ekskluzive vetëm për 27-vjeçarin Astrit Hoxha, i arrestuar nga policia ditën e djeshme, pasi akuzohet se me anë të kësaj metode ka vjedhur katër banesa dhe dyshohet edhe për një numër të pacaktuar banesash të tjera, të padokumentuara akoma. 

Arrestimi

I riu me precedentë penalë për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe për “vjedhje” u arrestua dje për të disatën herë për “vjedhje më shumë se një herë”. 27-vjeçari Astrit Hoxha, lindur e banues në Picar të Gjirokastrës, u vu nën pranga nga specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera, të cilët pas një pune disajavore hetimesh arritën t’i dokumentojnë katër vjedhje. Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se Hoxha dyshohet se më 17 shtator ka vjedhur një banesë në rrugën “Zef Jubani”, në kryeqytet, ku ka marrë dy telefona celularë, një javë më pas ka realizuar dy vjedhje brenda ditës, një banesë në “Rrugën e Dibrës”, ku ka vjedhur 2.7 milionë lekë të reja dhe 13 000 dollarë, dhe një banesë në rrugën “Andon Zako Çajupi”, ku ka marrë 50 000 lekë të reja. Ndërsa tri ditë më parë ai ka vjedhur një banesë në rrugën “Zef Jubani”, ku ka marrë 30 000 lekë të reja. Arrestimi i tij u realizua në “Rrugën e Durrësit, ndërkohë që vazhdon puna për dokumentimin e një sërë vjedhjesh të tjera, për të cilat dyshohet se janë kryer nga 27-vjeçari, i cili për herë të parë përdori metodën e vjedhjes me anë të kopjimit të çelësave spiunë. 

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›