E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakron shokun me çekiç

KORÇË - Masakrohet me çekiç një kambist në shtëpinë e mikut të tij. Ngjarja që ka tronditur qytetin buzë liqenit të Ohrit, është regjistruar rreth orës 15:00 të së shtunës në lagjen 4 të këtij qyteti, teksa banorët e një pallati kanë dëgjuar thirrje të frikshme, që lëshonte viktima pak para momentit të vdekjes. Autori i kësaj vrasjeje makabre me çekiç dhe një shufër hekuri është shoku i tij, një ish-oficer ushtrie i cili kishte punuar në të njëjtin profesion me kambistin para viteve ‘90-të. Banorët e një pallati pesëkatësh kanë njoftuar policinë, pasi kanë qenë ata të parët që kanë konstatuar vrasjen makabre të kambistit 56-vjeçar Beqir Basho, banor i Pogradecit.

Sipas dëshmive të para të marra nga vendi i ngjarjes nga banorët e pallatit, mësohet se autori i kësaj ngjarjeje, i cili ndodhet aktualisht i shtruar në spitalin e Pogradecit në një gjendje depresive, kishte ftuar për një kafe në shtëpinë e tij viktimën. Bashkim Muço është parë nga dëshmitarët okularë gjatë mesditës së të shtunës së bashku me viktimën, teksa kanë qëndruar për disa momente para pallatit ku ka ndodhur tragjedia. Madje, dy prej banorëve të këtij pallati, të cilët janë shokuar nga ngjarja, kanë parë të ngjiteshin mjaft të qetë drejt banesës, duke biseduar normalisht të dy ish-oficerët, njëri prej të cilëve ushtronte aktivitetin e kambistit në tregun e valutës në Pogradec. Nuk dihet nëse ky i fundit ka pasur të holla me vete ose jo, ndërkohë që pas qëndrimit në shtëpi, pas afro 20 minutash janë dëgjuar dhe britma të forta që kanë vënë në alarm banorët, të cilët kanë kërkuar ndihmën e policisë. Dyshohet që autori i ngjarjes, i cili nuk ka folur për policinë, pasi është përfshirë nga një gjendje depresive, të jetë konfliktuar me shokun e tij, ndërsa më pas ai ka përdorur një çekiç, si dhe një shufër hekuri për ta vrarë atë. Goditjet që mendohet t’i kenë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme kambistit kanë qenë ato në pjesën e kokës, ndërsa ai ka humbur dhe shumë gjak në shtëpinë e Bashkim Muços. Forcat e policisë kanë gjetur viktimën të përgjakur dhe të shtrirë përtokë, madje të lyer me gjak edhe autorin, duke menduar se edhe ai ishte i plagosur. Më pas mjekët e spitalit të këtij qyteti kanë konstatuar se Muço, 50 vjeç, nuk ishte plagosur, por ishte lyer me gjakun e viktimës, nga tronditja që kishte pësuar, ndërkohë që nuk ka mundur dot të flasë  për të treguar atë se çfarë ka ndodhur në shtëpinë e tij dhe cili është motivi i kësaj vrasjeje gati shtazarake. Pas ngjarjes, policia ka transportuar për në spitalin e qytetit buzë Ohrit viktimën, i cili i është nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore, ndërsa është tentuar të merret në pyetje nga forcat e policisë. Në shtëpinë e tij në dhomën e ndenjes është gjetur çekiçi i lyer me gjak, por edhe shufra e hekurit që ai ka përdorur për të vrarë mikun e tij kambist, me të cilin kishin punuar bashkë si oficerë ushtrie. Askush nuk di të thotë me saktësi për bisedat që janë bërë gjatë atyre minutave para vrasjes, ndërsa dëshmitarët e parë të marrë në pyetje nga policia për hetimin e ngjarjes bëjnë të ditur se biseda e tyre ka qenë e shoqëruar me shkëmbime batutash dhe fyerjesh, por askush nuk e ka kuptuar shkakun e vërtetë të këtij konflikti. Policia pogradecare është vënë në punë për të zbardhur motivin e këtij krimi, por nuk dihet nëse ai ka pasur të holla me vete apo diçka tjetër. Madje edhe konflikti i lindur mes tyre është shumë misterioz. Momenti i dëshmisë së autorit të saj, Bashkim Muços, duket se është shumë i rëndësishëm, teksa ai është përfshirë nga një gjendje depresive pas krimit dhe nuk dëshiron të komunikojë me askënd, ndonëse është në gjendje arresti për veprën penale të vrasjes në spitalin e Pogradecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›