Arrestohet Karaj, kirurgu i Onkologjikut
Shefi i Kirurgjisë në Onkologjik akuzohet se merrte rryshfet për operacionet që kryente
TIRANË- Arrestohet shefi i kirurgjisë së Onkologjikut, Agim Karaj, pasi akuzohet për mitmarrje. Informacionet e shumta se mjeku 58-vjeçar, Agim Karaj kërkonte para për të kryer operacione ka detyruar specialistët e Anktikorrupsionit pranë policisë së Tiranës t’i vënë prangat kirurgut të njohur. Burime nga policia thanë se arrestimi i Karajt është kryer pasditen e djeshme, pasi është marrë miratimi paraprak i gjykatës, që kishte vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.Ai është shoqëruar në ambientet e policisë së Tiranës dhe pasi u mor në pyetje, iu komunikua masa e arrestit për veprën penale të “mitmarrjes”.
Hetimi
Specialistët e Antikorrupsionit pranë Policisë së Tiranës kishin siguruar informacione në rrugë operative disa kohë më parë se kirurgu i njohur i Okologjikut caktonte shuma të konsiderueshme parash kundrejt një operacioni. Të afërmit e pacientëve dyshohet se duhet të paguanin te mjeku Agim Karaj një shumë që varionte nga 60 deri në 70 mijë lekë të reja për të kryer një operacion, në të kundërt kanë deklaruar në polici persona të ndryshëm, mjeku nuk pranonte të kryente ndërhyrjen kirurgjikale. Nisur nga këto denoncime, specialistët e Antikorrupsionit në policinë e kryeqytetit nisën hetimet për të verifikuar informacionet e mbërritura në këtë zyrë. “Pavarësisht deklarimeve të personave të ndryshëm, të cilët tregonin se kishin paguar para për të kryer një operacion nga “duart” e mjekut Agim Karaj, policia nisi hetimet për të zbardhur informacionet. Për më shumë se një muaj, kirurgu ka qenë nën hetim deri në sigurimin e provave” -thanë për “Shekullin” burime nga policia e Tiranës.
Arrestimi
Gjykata e Tiranës ka lëshuar ditën e djeshme një mandat arresti, që është ekzekutuar brenda pak orësh nga specialistët e antikorrupsionit. Kjo e fundit në bashkëpunim me Taks-Forcën e Prokurorisë, kishin më shumë se një muaj që hetonin mjekun Agim Karaj dhe provat e mbledhura ndaj tij iu depozituan gjykatës së Tiranës, e cila dha miratimin e saj për arrestimin e kirurgut. Shefi i kirurgjisë së Onkologjikut në QSUT është pritur nga policia të mbarojë detyrën e tij. Burime nga policia thanë se sapo ka lënë detyrën, ai është ndaluar nga specialistët e Antikorrupsionit, të cilët ikomunikuan mandatin e arrestit për veprën penale të “mitmarrjes”. Mësohet se Karaj nuk ka bërë rezistencë, duke “shkuar” pas oficerëve të policisë. Ai është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës. Ndërkohë që policia nuk bën të ditur shifrën e saktë të pacientëve të cilët i kanë dhënë para mjekut Agim Karaj kundrejt një operacioni. Por burimet policore shtojnë se informacionet kishin mbërritur në “vesh” të policisë nga disa persona të ndryshëm, gjë e cila ishte dhe indicia e hetimeve.
MINISTRJA
Godo: Mjekët të mos trajtohen si kriminelë
TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka reaguar dje në lidhje me arrestimin e kirurgut Agim Karaj. Ajo është shprehur se nuk ka dijeni për detajet e çështjes, por nuk është dakord me mënyrën demonstrative me të cilën arrestohen mjekët. “Arrestimin e Profesor Agimit e mësova nga drejtoresha dhe nga ju. Unë nuk jam në dijeni të akuzës që i është bërë konkretisht profesorit në këtë rast. Por në qoftë se ai është fajtor për abuzimet që bëhen në shëndetësi, në kurriz të shtetit dhe pacientit, le të dënohet nga drejtësia. Por nuk jam dakord që për mjekë, siç ishte rasti i Kastriot Dautajt, që t’i vihen prangat një profesori të njohur në mes të publikut dhe trajtohet si kriminel. Në këtë rast cenohet figura e mjekut dhe humbet besimi i popullit tek mjekët, sepse jo të gjithë janë të korruptuar”,- tha për “Shekullin” ministrja Anila Godo. PRECEDENTË
ARRESTIMI NË FIER
Rreth një vit më parë, antikrimi ekonomik-financiar organizoi operacionin e koduar “VIPERA” i cili çoi në qeli mjekun kirurg Sotiraq Mone, 45-vjeç, lindur dhe banues në Fier. Ai u akuzua për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Policia bëri të ditur pas arrestimit të kirurgut se ai i kishte kërkuar një shumë prej 1200 eurosh pacientit me iniciale B.C, i cili ishte shtruar në spitalin e Fierit prej disa javësh. Pacienti i kishte dhënë doktorit në fillim shumë prej 600 eurosh dhe kërkonte të dilte nga spitali, por mjeku nuk plotësonte fletë daljen pa marrë dhe pjesën tjetër të eurove.
MJEKU UROLOG
Mjeku urolog Kastriot Dautaj, njëherazi pedagog në fakultetin e mjekësisë, u arrestua rreth katër muaj më parë pasi kërkoi 500 mijë lekë për një operacion veshkash. Arrestimi i mjekut Dautaj u krye më 7 korrik të këtij viti, pasi policia siguroi informacione se aii kishte kërkuar babait të një pacienteje shumën prej 500 mijë lekë të vjetra për të kryer një operacion veshkash. Për të shpëtuar jetën e së bijës, i moshuari kishte siguruar paratë dhe ia dërgoi mjekut në zyrën e tij. Por sapo ka dalë nga zyra, babai i pacientes, ka ndërhyrë policia e cila ushtroi menjëherë një kontroll dhe gjeti shumën e parave.