Greqi, të burgosurit shqiptarë në grevë urie
TIRANË- Të burgosurit shqiptarë në Greqi janë hedhur mëngjesin e djeshëm në një grevë të përgjithshme urie në kërkim të kushteve më të mira. Bëhet fjalë për rreth tre mijë të dënuar shqiptarë që kanë kërkuar zbatimin e ligjeve evropiane në lidhje me të dënuarit dhe politikat e dënimit. Atyre u janë bashkuar edhe të burgosurit rusë dhe një pjesë e atyre grekë. Lajmi është pohuar dje për “Shekullin” nga të dënuar shqiptarë që ndodhen në burgjet greke dhe momentalisht janë në grevë urie. Ata kërkojnë edhe ndihmën e shtetit shqiptar që të negociojë me palën greke për plotësimin e kërkesave.
Kryesisht të dënuarit shqiptarë që kanë hyrë dje në grevë urie janë dënuar për krime që kanë lidhje me drogën. Pikërisht në këtë pikë shteti grek cilësohet si një nga më të rreptit në Europë. “Greqia ka nënshkruar marrëveshje të ndryshme me Bashkimin Europian në lidhje me legjislacionin për drogën. Pjesë e këtyre marrëveshjeve janë edhe politikat e dënimit. Sipas ligjeve të BE-së, dënimet për drogë janë shumë herë më të ulëta se sa ato që ka shteti grek. Por Greqia, nuk i ka vënë ende në zbatim këto ligje duke na dënuar me dhjetëra vite burg vetëm për pak gramë drogë”,- thanë dje të burgosur shqiptarë që ndodhen në qelitë greke. Sipas tyre, shteti grek nuk ka pranuar as që të bëjë konvertimin e dënimeve. Në këto kërkesa janë bashkuar edhe të burgosurit rusë dhe grekë që janë dënuar për drogë.
Një tjetër pikë e grevës kanë qenë kushtet në burg dhe trajtimi që u bëhet familjarëve. Në këtë kërkesë janë bashkuar pothuajse të gjithë të dënuarit e 20 burgjeve greke. “Sa herë që familjarët tanë vijnë që të na takojnë përballen me keqtrajtime psikologjike. Ata shahen, denigrohen dhe detyrohen që të përballojnë ofendime nga më të ndryshmet. Kjo gjë nuk mund të vazhdojë më pasi edhe ne jemi njerëz”,- thanë të burgosurit për “Shekullin”. Sipas tyre, një tjetër problem është edhe afati i takimeve. Për të burgosurit shqiptarë, takimet janë shumë të rralla. Për sa i takon lejeve, të burgosurit shqiptarë dhe rusë janë të diferencuar nga ata grekë. Sipas vetë të burgosurve, duke plotësuar “ditët” me sjellje të mirë ata mund të përfitojnë leje mujore por kjo nuk ndodh me shqiptarët. “Ne nuk kemi ndër mend që të tërhiqemi. Do të donim të na ndihmonte edhe shteti shqiptar por do të rezistojmë deri sa të kemi fuqi. Ose shteti grek të plotësojë kërkesat tona të ligjshme ose ne të vdesim nga uria”,- thanë dje disa nga të burgosurit shqiptarë”.