Ftuesi i mitropolitit serb: Vizita ishte turistike
SHKODËR -“Vizita e mitropolitit serb të Malit të Zi, Amfillohije Radoviç ishte vizitë turistike dhe pati si qëllim njohjen me objektet e kultit të hershëm, por edhe vizitën në varret e ushtarëve serbë, të rënë në Shkodër. Kjo vizitë nuk duhet parë si incident dhe as me shqetësim, ndërsa shoqata jonë ishte ajo që bëri ftesën pas kërkesës së bërë prej vetë metropolitit tre muaj më parë” . Ky ishte prononcimi i Pavllo Jakos, president i shoqatës Moraça – Rozafa me qendër në Shkodër, e cila përfaqëson pakicat serbo – malazeze në Shqipëri. Jako ka hequr çdo paralelizëm mes deklaratës së metropolitit serb të Malit të Zi dhe kërkesës së Greqisë për varret e ushtarëve grekë, ndërsa pohoi se memoriali për ushtarët serbë është i pranueshëm dhe pse vetë Jako pranon se ata kanë qenë ushtarë pushtues. Kontradiktor në pohimet e tij, drejtuesi i shoqatës Moraça – Rozafa deklaroi se ushtarët serbë kanë luftuar kundër turqve dhe se këtë nuk e kanë bërë shqiptarët. Megjithatë, ai pranoi se ishin pushtues, duke shtuar se këto kanë ndodhur në një situate pushtimesh, kur kishte luftë. Ai ka shprehur pakënaqësinë dhe në drejtim të një pjese të politikës shqiptare , që sipas Jakos kanë nënshkruar konventa për respektim të të drejtave të pakicave, por nuk e dinë se çfarë kanë nënshkruar dhe asnjëherë tre shtetet , Shqipëria, Serbia e Mali i Zi nuk janë takuar për të biseduar lidhur me integrimin e pakicës serbo – malazeze në jetën social- politike të Shqipërisë. Qytetarët shkodranëjanë shprehur të pakënaqur me vizitën e antishqiptarit të njohur Amfillohije Radoviç në Shkodër dhe deklarimet e tij, duke e quajtur atë një sfidë që i bëhet shtetit shqiptar. Pushtetarët vendorë të Shkodrës kanë qëndruar indiferentë ndaj kësaj vizite, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm në inagurimin e qendrës informative kulturore të shoqatës Moraça – Rozafa , të bërë të hënën në Shkodër.