E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet Mili i Fierit, vrau në vitin 1999 nënën e Lul Cakës



TIRANË – Zbardhet një nga vrasjet më misterioze të ndodhura në vitin 1999 në qytetin e Fierit, ku është bërë e mundur që të arrestohet një shtetas, i akuzuar për vrasjen e nënës së Lul Cakës. Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, kanë organizuar operacionin e koduar “Rrëmbimi” i cili është finalizuar me ndalimin e shtetasit Fatmir Emin. I ashtuquajturi Mili i Fierit, akuzohet për vrasjen e shtetases Xhevaire Caka, nëna e Lulzim Cakës, gjatë vitit 1999.
Arrestimi
Një nga vrasjet misterioze, por edhe më të bujshme, e ndodhur 9 vjet më parë, është bërë e mundur që të zbardhet nga efektivat e policisë. Në atë periudhë u ekzekutua shtetasja Xhevaire Caka, nëna e të njohurit të këtij qyteti, Lul Caka, i dënuar nga drejtësia me burgim të përjetshëm për vrasje. Deri pak ditë më parë, kjo dosje nuk ishte zbardhur, por vetëm dje është bërë e mundur që të prangoset autori i dyshuar për këtë krim. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur dje se kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Kështu, në kuadër të operacionit të koduar "Rrëmbimi" nga Policia e Fierit në bashkëpunim me prokurorinë janë zbuluar tre autorët e dyshuar të këtij krimi të ndodhur më 1 korrik të vitit 1999, ku pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Fier është rrëmbyer, torturuar dhe më vonë është vrarë me armë zjarri në pyllin e lumit Seman shtetasen Xhevaire Caka".
Hetimet
Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me kërkesë të prokurorisë, gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier vendosi dje në mesditë masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, për shtetasit Fatmir Emini, 52 vjeç, lindur e banues në Fier, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje. Gjykata ka dënuar edhe dy persona të tjerë në lidhje me këtë ngjarje, por dhe akuza të tjera që rëndojnë ndaj tyre: Artan Yzeiri, lindur në Berat dhe banues në Fier, është dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e ish kryetarit të komunës Kutalli në Berat. 38-vjeçari Yzeiri aktualisht është shpallur person në kërkim. Po ashtu, edhe Bledar Yzeiri, 30 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Fier, është dënuar me 17 vjet burg për vrasjen e shtetasit Neki Çala. Ky iu fundit është arrestuar në Belgjikë dhe pritet ekstradimi i tij në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin për krimin e kryer. Rasti më i fundit i zbulimit të autorit të kësaj ngjarje, konsiderohet si një ndër sukseset për përfundimin e plotë të hetimeve të dosjeve të vjetra në Drejtorinë e Policisë së Fierit. Një pjesë e krimeve të ndodhura në vitin 1997 dhe në vazhdim, nuk kanë shkuar deri në fund ende nga drejtësia.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›