Centrali bërthamor, Ja plani i qeverisë

Këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike Suzana Guxholli pohon se kostoja e transportit të lëndës së parë nuk është kriteri kryesor në përcaktimin e zonës. Sipas Guxhollit, të rëndësishme mbeten vetëm studimet sizmike. “Uraniumi nuk transportohet vetëm nëpërmjet detit, pasi edhe dorazi nuk sjell kosto të lartë”-tha ajo.
Shqipëria nuk do të heqë dorë nga ngritja e centralit bërthamor në vend. Institucionet shtetërore janë duke vijuar punën në bashkëpunim me Agjencinë Bërthamore të Vienës për përgatitjen në terma të përgjithshme të këtij projekti energjetik me lëndë radioaktive. Deklarata e vetë kreut të qeverisë Sali Berisha dje në Vlorë, rikonfirmoi edhe njëherë vendosmërinë për ngritjen e centralit bërthamor, por ndryshe nga herët e tjera është deklaruar hapur se zona e Porto Romanos është përjashtuar nga vendi ku do të ngrihet centrali. Sakaq institucionet shtetërore janë duke kryer studimet e nevojshme për përcaktimin e vendndodhjes së zonës, ku një nga kriteret kryesore të përzgjedhjes të zonës janë studimet sizmike. Këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike Suzana Guxholli e kontaktuar nga gazeta “Korrieri” ka pohuar se ngritja e centralit bërthamor në vend tashmë është një proces i mbështetur dhe nga institucione ndërkombëtare, pra nuk ka pengesa as në kufijtë ndërkombëtare. Guxholli nuk saktësoi vendin ku do të ngrihet centrali bërthamor, pasi sipas saj po kryhen studimet e nevojshme duke veçuar ato sizmike të zonës. Nga ana tjetër këshilltarja e kryeministrit shtoi se kostoja e transportimit të uraniumit nuk përbën kriter kryesor për përcaktimin e zonës, pasi edhe mënyra të tjera të transportit të kësaj lënde nuk paraqesin rrezik dhe kosto të lartë. “Nga ana jonë ende nuk është përcaktuar vendi se ku do të ngrihet centrali bërthamor, por mund të them se jemi në fazën e hartimit të legjislacionit përkatës dhe studimeve të nevojshme për zonën”, pohon Guxholli duke shtuar se një nga kriteret kryesore në përcaktimin e gjurmës janë studimet sizmike. Po ashtu kohët e fundit në mediat italiane është duke u studiuar teza që Shqipëria nuk është një vend i favorizuar për ngritjen e centralit bërthamor, deklaratë kjo e bërë nga ministri i ekonomisë së qeverisë italiane të kryeministrit Silvio Berluskoni. Por ndryshe nga kjo deklaratë institucionet shtetërore vendase pohojnë të kundërtën mandje shtojnë se nuk ka pengesa në kufijtë ndërkombëtare. “Procesi i studimeve të centralit bërthamor është forcuar dhe për realizimin e tyre nuk ka pengesa nga kufijtë ndërkombëtarë. Kurse përsa i përket rrugës së transportit të lëndës së parë, më duhet të them se rrugët detare nuk janë të vetme pasi transporti i uraniumit dorazi nuk përbën rrezik dhe kosto të lartë”, u shpreh Guxholli duke përsëritur se ky nuk është kriteri kryesor në përcaktimin e zonë
Sipas këshilltares së kryeministrit për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli, procesi i studimeve të centralit bërthamor është forcuar dhe për realizimin e tyre kufijtë ndërkombëtarë nuk paraqesin pengesa. “Kurse përsa i përket rrugës së transportit të lëndës së parë, më duhet të them se rrugët detare nuk janë të vetme pasi transporti i uraniumit dorazi nuk përbën rrezik dhe kosto të lartë”, është shprehur Guxholli
Suzana Guxholli nuk saktësoi vendin ku do të ngrihet centrali bërthamor, pasi sipas saj po kryhen studimet e nevojshme duke veçuar ato sizmike të zonës. Duke qenë se studimet sizmike janë mjaft të rëndësishme për ngritjen e një centrali bërthamor, përfundimi i tyre pritet të sjellë përcaktimin e saktë të gjurmës.