E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset, masakroi taksistin dhe i mori makinën 11 vjet më parë



GJIROKASTËR – Zbardhet një nga krimet e ndodhura në vitin 1997 në rrethin e Tepelenës, ku pas një pune hetimore, është vënë në pranga autori i masakrimit dhe rrëmbimit të makinës së një taksisti. Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se ditën e enjte, rreth orës 14.40, specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda bënë të bërë kapjen e shtetasit Vezir Balil Thanasi, 1962, lindur në fshatin Rexhin të Tepelenës dhe banues në Vlorë. Sipas zëdhënësit Gentian Mullai, ndalimi i 46 vjeçarit Thanasi u bë për arsye prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, më datën 04.06.08, ka nxjerrë urdhër-ndalimi për të. Nxjerrja e këtij urdhri është bërë pasi ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë , më datën 20.03.1997, kanë marrë në lagjen “18 Shtatori “ Gjirokastër, një automjet taksi me targë GJ 0440 A, që drejtohej nga shtetasi Fetah Kasma nga fshati Lazarat Gjirokastër, për ti çuar në Tepelenë.
Gjatë rrugës në vendin e quajtur Votuca ku kthehet rruga për në komunën e Picarit të rrethit Gjirokastër, këta shtetas, nën kërcënimin e armëve (pistoleta dhe një kallashinkov), e kanë detyruar Kasmin të kthehej në një rrugë qorre, duke e çuar në një përrua poshtë fshatit Shtëpëz. Aty e kanë goditur me tytën e pistoletës në kokë dhe e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe më pas e kanë lidhur me tela. Autorët e këtij rrëmbimi, i kanë marrë makinën taksistit dhe janë larguar. Shtetasin Fetah Kasma e kanë ndihmuar disa banorë të fshatit Shtëpëz pas disa orësh që e kanë gjetur rastësisht. Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda bënë dokumentimi i kësaj vepre penale dhe kapën pas 11 vjetësh njërin ndër autorët e ngjarjes, ndërsa të tjerët janë të shpallur në kërkim. Vezir Thanasi akuzohet për veprën penale të “vjedhjes me armë”.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›