E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Shpëtim Ndreu, dhunuesi i Sul Memës

Nga Artan CELA

BURREL – Pranga dhunuesit të përfaqësuesit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Sulejman Mema. Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në qytetin e Burrelit, pas përfundimit në barazimin një me një, të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve Burreli-Erzeni. Lajmi u konfirmua sot për "Albania-Sport" nga burime të besueshme të Komisariatit të Policisë së rrethit të Matit. Sipas këtyre burimeve, "ditën e djeshme punonjësit e policisë të këtij komisariati bënë të mundur arrestimin në kushtet e flagrancës të tridhjetë e tetë vjetarit Shpëtim Selim Ndreu, lindur dhe banues në Burrel, i cili është pjesëtar i stafit drejtues të Klubit Sportiv Burreli". Realisht, vendosja e tij në pranga u bë për shkak se ai rezultoi që të ishte autor i goditjes me grushte të përfaqësuesit të FSHF-së Sulejman Mema, i cili është njëherësh edhe përgjegjës i sektorit të arbitrave në FSHF. Ngjarja, ndodhi të premten e kësaj jave në stadiumin e qytetit të Burrelit pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve, Burreli-Erzeni. Në momentin e ngjarjes ish-futbollisti i ekipit kryeqytetas të "17 nëntorit", Sulejman Mema, ishte duke diskutuar me trajnerin e ekipit të Erzenit, Dedja, kur u goditur me grushte nga shtetasi Shpëtim Ndreu, pjesëtar i stafit drejtues të Klubit Sportiv Burreli. Ndërkohë, pas këtij incidenti që ndodhi në përfundim të kësaj ndeshjeje, punonjësit e policisë të Komisariatit të Policisë së rrethit të Matit, shoqëruan në ambjentet e tij pesëmbëdhjetë persona, të cilët rezultuan që të ishin prishës të rendit dhe qetësisë gjatë zhvillimit të kësaj ndeshjeje të kategorisë së parë të Kampionatit shqiptar të Futbollit. Për këtë ata hodhën në fushë sende të forta duke shfrytëzuar në të tillë rast mbetjet inerte të anës së pasme të shkallëve të stadiumit. Mësohet, se për garantimin e rendit publik gjatë zhvillimit të kësaj ndeshjeje strukturat vendore te policisë kishin aktivizuar rreth tetëdhjetë punonjës policie. Faktikisht, gjatë nëntëdhjetë minutave të zhvillimit të takimit të futbollit midis ekipeve të Burrelit dhe Erzenit, as në fushë por as edhe në shkallët e stadiumit nuk pati asnjë incident. Incidentet ndodhën në përfundim të ndeshjes dhe me ndërhyrjen e forcave të policisë u bë e mundur ndalja dhe zmbrapsja e tifozëve vendas. Pas këtij incidenti reaguan në Tiranë edhe përfaqësuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Sipas tyre, "Policia e Shtetit do të bashkëpunojë në të ardhmen me të gjithë aktorët që kanë përgjegjësi për mbarëvajtjen e aktiviteteve artistike dhe sportive, e vecanërisht të atyre futbollistike, me qëllim që të gjitha palët të marrin përgjegjësitë për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve dhe për më tepër me organizatorët e tyre, me qëllim që incidente të tilla të mos përsëriten". Në këtë kontekst Policia e Shtetit në ditët në vijim do të marrë kontakt me përfaqësuesit e FSHF-së për të vendosur një bashkëpunim funksional, me qëllim parandalimin e incidenteve, shkak për të cilat bëhen shpesh dhe terrenet sportive, që nuk plotësojnë parametrat e duhur, për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›