Arrestohet administratori i kazinosë, vodhi paratë në arkë
Administratori i një kazinoje në Tiranë është prangosur nga policia, pasi ka vjedhur vendin ku punonte. E madje, vepra e tij penale nuk ka qenë vetëm kjo, pasi është munduar të mashtrojë policinë, duke deklaruar se dy persona me maska dhe armë e kishin grabitur, kur ka qenë i vetëm në ambientet e kazinosë. Bëhet fjalë për Eno Hoxhën, i cili punonte si administrator në kazinonë "Admiral Club" te rruga "Komuna e Parisit", ndërkohë që paratë e vjedhura janë gjetur në mjetin e tij. Në një njoftim për shtyp, policia deklaroi se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2 u arrestua ky person, pasi dyshohet për "vjedhje të kryer, duke shpërdoruar detyrën", si edhe "kallëzim të rremë" në organet e rendit. 26-vjeçari, me banim në Tiranë, i punësuar si administrator në kazino "Admiral Club" pranë rrugës "Komuna e Parisit" në Tiranë, gjatë orëve të vona të mbrëmshme dyshohet se ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, duke mashtruar se, dy persona me maska dhe të armatosur i kanë vjedhur shumën e parave prej 110 mijë lekësh". Falë një pune të menjëhershme hetimore nga specialistët e seksionit kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë, bënë të mundur identifikimin e telefonuesit, nga ku rezultoi se telefonuesi ishte vetë shtetasi Eno Hoxha. Dyshohet se i sipërcituari ka vjedhur në arkën e kazinosë "Admiral Club" shumën e parave prej 110 mijë lekësh dhe me synim për të fshehur këtë vjedhje ka telefonuar në polici, duke kryer kallëzim të rremë në organet e rendit. Ndërkohë, pas një kontrolli të imtë të ushtruar ndaj tij dhe ndaj automjetit tip BMW me targë TR 6446 K, në pronësi të tij u gjet shuma e parave, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t‘i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprat penale të "vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën," si dhe "kallëzim të rremë".