Tentohet grabitja e dytë e një banke
Pa kaluar shumë kohë, një grabitës është rikthyer sërish për të vjedhur degën e një banke te "Zogu i Zi". Vetëm pak kohë më parë, dyshohet se ai ka bërë një tjetër grabitje te kjo bankë, por ditën e djeshme nuk ia ka dalë mbanë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 14.00 ka rënë alarmi i degës së një banke te "Zogu i Zi" dhe menjëherë për në vendngjarje janë nisur shërbimet e Komisariatit Nr. 3. Madje, ata kanë qenë të parat që kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë marrë kontakt me stafin e degës së bankës. Aty kanë mësuar se një person me kapele dhe syze ka hyrë në bankë me një pistoletë në dorë për të kryer një grabitje. Por aty është vënë në dijeni se po vinte policia dhe nga nxitimi nuk ka marrë asgjë, por është larguar duarbosh. Menjëherë ai ka hequr kapelën e syzet dhe nëpërmjet një tuneli është larguar me shpejtësi. Por, policia tha se tashmë e kanë në dorë këtë grabitës, pasi atë e ka kapur një kamerë me fytyrë dhe identifikimi i tij mund të jetë vetëm çështje orësh. Forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe Komisariatit Nr. 3 kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe morën në pyetje dëshmitarët, ndërsa u ngritën postblloqe në zonën e Laprakës dhe në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, me qëllim kapjen e autorit të ngjarjes.