E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet anëtari i bandës“Hakmarrja për Drejtësi”

01/10/2009  Gëzim Gjoni ishte dënuar nga gjykata me 5 vjet burg për grabitje

TIRANE- Arrestohet nga policia njëri prej anëtarëve të grupit kriminal “Hakmarja për Drejtësi”. Ai është shtetasi Gëzim Gjoni, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dënimin me 5 vjet heqje lirie. Operacionin për ndalimin e tij e kryen Inspektorët e zyrës së kërkimit pranë Policisë së Tiranës, të cilët i kanë vënë prangat paraditen e djeshme të kërkuarit Gëzim Gjoni që është akuzuar për veprën penale të grabitjes. Mësohet se Gjoni u dënua në mungesë më 1 korrik të vitit të kaluar, dhe pas këtij vendimi ai u shpall në kërkim nga gjykata. Sipas policisë ai u akuzua për rrëmbim dhe mbajtje peng të personit në rrethana lehtësuese, në dëm të një të mituri. Po ashtu, ai u akuzua për vjedhje me armë e realizuar në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale, në dëm të një shtetasi, të cilët i kanë vjedhur me dhunë shumën e parave prej 12 milion lekëve. Mësohet se një makinë e përdorur në disa grabitje nga anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi” e gjetur në oborrin e banesës së Gjonit ishte një nga provat e paraqitura nga akuza në gjykatë kundër tij. Si anëtar i grupit kriminal “Hakmarrja për Drejtësi” Gjoni qëndroi në arrest shtëpia për më shumë se 400 ditë por më pas gjykata vendosi të lehtësojë masën e sigurisë për të duke e lënë në detyrim paraqitje. Por pas përfundimit të hetimeve rezultoi se Gjoni ishte i implikuar në grabitje duke u dënuar me 5 vjet heqje lirie. Sipas prokurorisë pjesëtarët e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” kanë kryer me këtë makinë pesë krime të ndryshme. Grabitja e “Gaz Butan”, në datën 3 mars 1994, grabitja e INSIG-ut më 21 shkurt 1995, grabitja e Pirro Koninit, më 12 prill 1995, grabitja e Arkës së Sfungjerit, me datë 15 qershor 1995, “Ardia”, me datë 1 mars 1995 mendohet të jenë realizuar me anën e kësaj makine. Por gjatë procesit gjyqësor Gëzim Gjoni, sqaroi se makina për të cilën prokuroria pretendon se është përdorur për krime, ka hyrë në Shqipëri me datë 14 qershor të vitit 1996. Gjoni pretendoi se asnjë krim nuk mund të jetë kryer me këtë makinë të gjetur në oborrin e shtëpisë së tij, pasi asokohe ky automjet ndodhej në Gjermani. Mirëpo pretendimet e tij nuk u morën parasysh nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Krijimi i organizatës

E shpallur publikisht në 13 tetor të vitit 1996, u tha se organizata “Hakmarrja për drejtësi” ishte krijuar në vitin 1994 në qytetin e Durrësit me qëllim destabilitetin e vendit. Kontrolle të panumërta në banesat e të dyshuarve. Arrestime, përndjekje nga 96-a deri në 2004-n. Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të pjestarëve të oganizatës “Hakmarrja për Drejtësi” filloi në 24 dhjetor të vitit 1998 nën drejtimin e gjyqtarit Petrit Kaja. Dhjetë të pandehurit ikën jashtë shtetit që nga dita që ata janë arratisur nga burgjet në vitin 1997. Nisi me 60 arrestimet e para ku një nga më të bujshmet ishte prangosja e inxhinerit Klement Kolaneci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›