E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lë shtëpinë me qira, plaçkit gjithë mobiliet

01/10/2009  Kallëzim penal në polici: S’kemi kontratë me familjen që na grabiti

Pasi rimerr n dorëzim shtëpinë sheh se i mungonin të gjithë pajisjet

BERAT- Ngjarja që nuk e dëgjojmë shpesh ka ndodhur pikërisht në lagjen “Kushtrim” të qytetit të Beratit. Një banore nga fshatrat e rrethit të Beratit ka marrë me qira një banesë të kompletuar ku ka jetuar për 5 vjet, ndërsa kur ka ikur ka plaçkitur të gjithë mobilierinë dhe pajisjet elektro-shtëpiake që i kishte gjetur aty që në fillim. Ka qenë 80-vjeçarja Antigoni Tabaku, e cila pas ikjes së djalit në emigrim vendosi që banesën e tij t’ia linte me qira mësueses së nipit të saj. Pasi ka mësuar për hallet e mësueses së vjetër në moshë, Antigoni ka vendosur t’i lërë me qira shtëpinë e djalit kundrejt një pagesë minimale. Pas 5 vjetësh Antigoni ka kërkuar që e njohura e saj e vjetër tashmë në moshë 60 vjeçe, t’i lirojë banesën. Kur ka shkuar për të parë shtëpinë Antigoni e ka gjetur të boshatisur. Këtu kanë nisur dhe debatet mes të moshuarës Antigoni Tabaku dhe Marjana Gurit. Për gazetën 80-vjeçarja pohon se djali i saj me emigrim në Greqi Gravosh Tabaku nuk di për këtë ngjarje. “Banesën e djalit e lashë për bamirësi ndaj familjes Guri, por ata na mashtruan dhe na plaçkitën, duke marrë dhe sendet më të vogla. Ndihemi të mashtruar pasi dhomat ishin të kompletuar dhe qiraxhinjtë na kanë marrë mallra me vlerë rreth 1.5 milionë lekë, pohon 80-vjeçarja. Sipas saj, boshatisjen familja Guri e ka bërë në orët e vona të natës, gjë të cilën e ka mësuar nga komshinjtë ku ndodhet dhe shtëpia e djalit të saj. Veç kësaj familja Guri nuk ka paguar as qiranë e fundit për banesën ku jetonte prej vitit 2004. Në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi dhe dëmshpërblimin apo kthimin e pasurisë, Antigoni Tabaku pohon se do të pres derisa familja Guri të ndërgjegjësohet dhe të kthej plaçkën në shtëpinë ku jetuan. Ndërsa veprimi i fundit që mbetet si zgjidhje është denoncimi në polici. Edhe pse ky veprim duhej të ishte bërë i pari, mungesa e një kontrate për të lënë shtëpinë me qira bën që denoncimin familja Tabaku ta shoh si lëvizjen e fundit për të marrë pasurinë që iu është grabitur pa të drejtë. S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›