E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, nxënësit, “bum” ankesash ndaj mësuesve

01/10/2009  Drejtoria Arsimore nis verifikimet për të zbuluar shkeljet, kryesisht kurse në favor të notës

BERAT- Një numër i konsiderueshëm emrash mësuesish që shfrytëzojnë nxënësit për t’i futur në kurset e tyre private, apo dhe mësues që sillen jashtë normave të etikës, janë përcjellë në Drejtorinë Arsimore rajonale të Beratit. Ka qenë pikërisht numri i vënë në dispozicion për këtë problem nga ana e DAR, i cili është publikuar, ndërsa nuk kanë munguar ankesat dhe pakënaqësitë ndaj mësuesve që janë të emëruar në shkollat e qytetit të Beratit. Që në fillim të viti të ri shkollor 2009-2010 Drejtoria Arsimore ka publikuar numrin 238 751 për të gjitha ankesat, ndërsa nuk kanë vonuar t’i bëjnë këto vërejtje për mësuesit që në fillim viti shkollor.

Ankesat

Sipas drejtorit të arsimit Yzedin Hima bëhet e ditur se çdo rast është marrë parasysh, ndërsa po bëhen verifikimet përkatëse për çdo mësues që është listuar për ankesën që nxënës apo prindër kanë shfaqur për të. Nëse këto pohime do të jenë të vërteta për çdo shkelje që mund të ketë bërë mësuesi i përfolur apo drejtor të shkollave do të merren masa duke filluar që nga paralajmërimet dhe deri tek masa ekstreme për përjashtim nga puna. Hima pohon se shumë ankesa janë për mësuesit që kryejnë kurse pas orarit mësimor, ndërsa nuk stimulojnë nxënësit që të kenë rezultate të mira gjatë mësimit në shkolla publike, por përkundrazi e detyrojnë atë që të ndjekë kurse për të njëjtën lëndë që ai jep në shkollën publike. Nxënësi G.K, i cili mëson në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” në qytetin e Beratit pohon se çdo vit mësuesja e lëndës së kimisë i ul notën, edhe pse ai bën përpjekje ajo nuk e ndihmon, por e lë të nënkuptojë, se nëse ai do të kryejë orë mësimi shtesë në mënyrë private ka për të ecur në këtë lëndë. Edhe pse 17-vjeçari nuk është ankuar në Drejtorinë Arsimore për këtë problem, thotë se ia vlen që këta mësues të publikohen dhe të përjashtohen nga arsimi pasi kanë detyrim të mësojnë dhe jo ta ushtrojnë mësuesinë si tregti, duke shitur orë mësimi kundrejt një pagese që nuk është e përballueshme për shumë familje. Kryesisht sipas nxënëseve në shkollat e mesme të qytetit të Beratit mësuesit që kanë kryer kurse janë të lëndëve ekzakte dhe të gjuhëve të huaja. Ata e kanë mirëpritur numrin e telefonit gjë që i bën të ndjejnë mbështetje nga Drejtoria Arsimore nëse ndaj tyre do të bëhen abuzime në drejtim të mësimdhënies nga stafi pedagogjik i mësuesve. Ankesat më të shumta nga nxënës dhe prindër janë të shkollave të mesme të përgjithshme, por nuk mungojnë as ato nga sistemi 9-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›