Anglia, Rio Ferdinand jashtë Kupës së Botës
Kapiteni i Anglisë Rio Ferdinand ka pësuar një dëmtim në gju gjatë stërvitjes me Kombëtaren ditën e djeshme dhe sipas raportimeve nga mjekët e skuadrës ëndrra e Botërorit për të ka përfunduar. Mbrojtësi ka pasur edhe më parë probleme me gjurin gjatë të gjithë sezonit dhe si rrjedhojë e të cilave ka zhvilluar vetëm 13 ndeshje në Premier Ligë në këtë sezon dhe ka munguar në dy ndeshjet miqësore të fundit të Anglisë. Rezultatet e para kanë treguar për probleme të cilat diktojnë kryerjen e një ndërhyrje kirurgjikale e cila do ta lërë lojtarin për të paktën 3 muaj jashtë fushave të gjelbra. “Në muajt e fundit Rio ka vuajtur nga një dëmtim në gju. Jemi shumë të shqetësuar por zëvendësuesi i tij Dauson është gati” është shprehur Kapelo, i cili përzgjodhi Ferdinad si kapiten, pas heqjes së shiritit nga Xhon Terri.