Arrestohet atentatori i studentit të Akademisë së Sporteve
Tiranë- Arrestohet nga policia e kryeqytetit Sahit Byberi 54 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes së 22- vjeçarit Mariglen Cani, të premten pasdite pranë pishinave të liqenit artificial.
Byberi, u ndalua nga policia e kryeqytetit mbrëmjen e të premtes vonë, pas një ndërhyrjeje të policisë për të ndaluar të dyshuarin e tentativës së vrasjes së studentit të Akademisë së Edukimit Fizik në kryeqytet. Ndërkaq gjatë arrestimit të tij, policia ka kryer një kontroll banese në shtëpinë e tij, për të gjetur armën e krimit, por ajo nuk është zbuluar nga policia.
Gjithsesi blutë, kanë ndaluar 54- vjeçarin me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e rëndë të një personi si dhe armëmbajtjen pa leje. Pas arrestimit të tij, policia i ka komunikuar akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, për shkak se pasditen e të premtes pranë pishinave tentoi të vriste me armë Maringlen Canin 22 vjeç banues në Tiranë, student i Akademisë së Edukimit Fizik në Kryeqytet.
Nga veprimet e kryera nga policia dhe nga dëshmitë e mbledhura prej saj dëshmitarëve të ndryshëm dhe të të plagosurit ngjarja ndodhi për shkak të një konflikti për motive femrash. Më parë Cani ishte konfliktuar me një person, ndërsa Byberi ka ndërhyrë më vonë, duke qëlluar të riun nga një automjet fuoristradë e markës "Land Rover", me targa angleze.
----------------------------------------------------------------------
Vrau biznesmenin, gjykata e lë në burg pa afat
TIRANE- Burg pa afat për autorin e vrasjes së biznesmenit të hekurit në kryeqytet. Shaban Allaraj, nuk foli asnjë fjalë dje gjatë vlerësimit të masës së arrestit të tij nga gjykata, ndërsa ai është arrestuar me akuzën e vrasjes me paramendim të biznesmenit të skrapit Ylli Tafani.
Dje Allaraj, u paraqit para gjykatës, ku prokuroria kërkoi lënien e tij në burg pa afat. Në të kundërt, i akuzuari nuk pranoi të jepte asnjë version të tij mbi këtë ngjarje ndërsa pas arrestimit të tij nga policia ai kishte pranuar se e kishte goditur me thikë Tafanin, pasi i kishte rrahur të birin.
Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën në Sauk, pranë një pike të grumbullimit të skrapit në këtë zonë, që ishte në pronësi të Tafanit. Viktima pretendonte se djali i autorit, kishte vjedhur në mënyrë të herëpashershme skrap në pikën e tij dhe më pas ia kishte rishitur.
Për këtë shkak sipas policisë Tafani kishte rrahur djalin e Allarajt. Fëmijës së tij Allaraj ka dashur t'i dalë për zot dhe për këtë fakt ai është grindur me biznesmenin fillimisht duke e vrarë më pas me thikë.